Lajme Shqip Saturday, 31 October 2015 16:55

Blerim Latifi, këshilltar politik i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli thotë se partitë opozitare vazhdojnë të thyejnë ligjet e Kosovës, të mos respektojnë institucionet e saj, Rregulloren e punës së Kuvendit dhe as procedurat ligjore të procedimit të dokumenteve.

Sipas tij, që një peticion të mund të pranohet në Kuvendin e Kosovës është e domosdoshme që paraprakisht të bëhet kërkesa në adresë të Zyrës për Parashtresa të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila më pas e dërgon peticionin për konfirmim në Komisionin parlamentar për barazi gjinore, peticione, ankesa dhe të drejta të njeriut, raporton lajmi.net.

Opozita, siç thekson ai, nuk e ka përfillur këtë procedurë ligjore sepse peticioni duhet të jetë dokument i konfirmuar, përndryshe, Latifi thotë se, ai nuk është valid dhe se institucionet e shtetit ligjor punojnë me dokumente të verifikuara.

“Opozita gjithashtu ka shkelur Rregulloren e Kuvendit për qasjen e mediave dhe publikut. Rregulla 22 e Rregullores së Kuvendit, në pikën 4 e thotë në mënyrë shumë të qartë se “ditëve të vikendit dhe ditëve të festave, mediat mund të kenë qasje në hapësirat e Kuvendit, me njoftim paraprak të Zyrës për Media dhe Marrëdhënie me publikun, sëpaku një ditë pune para vikendit dhe festës”. Nuk ka pasur një njoftim të këtillë”, thuhet në njoftim.

“Opozita poashtu me veprimin e saj të sotëm ka shkelur rregullën 11 të Rregullores së punës së Kuvendit ku thuhet se “deputeti me grup parlamentar mund të organizoj konferencë për shtyp në hapësirat e grupit parlamentar”, pra jo në ambientet tjera të hapësirës së Kuvendit, sikurse ka bërë opozita sot”, thuhet ndër tjerash në deklaratën e Latifit.

Ai shpjegon se deputetit të Kuvendit të Kosovës i lejohet qasja në Kuvend në çdo kohë, por duke respektuar ligjet dhe rregulloret e Kuvendit. “Sjellja arbitrare është në kundërshtim të plotë me frymën e parlamentarizmit dhe demokracisë kushtetuese”, pranon Latifi.

“Hyrja me forcë në ambientet e Kuvendit të Kosovës, duke mos përfillur dhe penguar fizikisht stafin e sigurimit të Kuvendit është cenimi tjetër që opozita ua ka bërë sot ligjeve të Republikës së Kosovës”, ka përfunduar ai.