Lajme Shqip Monday, 28 September 2015 12:48

Në mungesë të vullnetit për të zbatuar disa nga marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, të hënën dhe të martën të tria palët do të zhvillojnë bisedime në nivel teknik, në Bruksel.

Bëhet fjalë për marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Bisedimet e tilla teknike, nga analistët politikë në Prishtinë cilësohen si të paarsyeshme, nisur nga fakti se marrëveshjet e arritura është dashur të zbatohen me afatet e parapara në kohën e arritjes së tyre, shkruan Evropa e Lirë.

Ismail Hasani, sociolog dhe analist i çështjeve politike, thotë se në këtë drejtim përgjegjësinë më të madhe për moszbatimin e marrëveshjeve duhet ta mbajë Brukseli, si ndërmjetësues kryesor.

“Unë nuk e kam të qartë formatin e shkuarjes së delegacionit kosovar në Bruksel dhe cilat janë kërkesat e tyre. Në Bruksel ata mund të kërkojnë vetëm arsyen pse nuk ka filluar zbatimi i secilës nga marrëveshjet. [Marrëveshjet të arritura] quhen gjërat, të cilat janë kryer në zyrat e Brukselit, për të cilat ka pasur pajtueshmëri nga palët dhe është dashur që proceset të ecin përpara”, tha Hasani.

Kurse, analisti tjetër, Imer Mushkolaj, konsideron se pala e Kosovës gjithmonë është ajo e cila bën lëshime më të mëdha karshi Beogradit kur bëhet fjalë për marrëveshjet e arritura.

“Pala kosovare do të mundej fare lehtë që të zbatonte parimin e reciprocitetit në disa marrëveshje, në mënyrë që ta tregojë fuqinë e vet. Mirëpo, ne këtë deri tash nuk e kemi parë. Ne kemi parë thjesht një veprim jodinamik dhe një plogështi të palës kosovare në këto bisedime”, tha Mushkolaj.

Hasani thekson se marrëveshjet, të cilat janë arritur, e të cilat kanë të bëjnë me jetën e përditshme të qytetarëve, në asnjë rast nuk është dashur të diskutohen, por vetëm të zbatohen.

“Çështjet që janë të natyrës teknike, e që lidhen më përditshmërinë e jetës ndërmjet dy shteteve, sidomos të lëvizja e lirë e qytetareve, është dashur që të mos rinegociohen, të mos ketë rishikim të tyre. Është dashur që të fillojë implementimi i tyre që në momentin e arritjes së marrëveshjes”, tha Hasani.

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, me herët për Radion Evropa e Lirë, pati thënë se në këto takime kryesisht do të bisedohet për problemet në moszbatimin e marrëveshjeve të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Temat që thuhet se do të diskutohen janë, midis tjerash, marrëveshja për lëvizjen e lirë, përfshirë këtu qarkullimi i automjeteve të Kosovës nëpër Serbi me ato që njihen si tabela regjistrimesh “provë”.

Prishtina dhe Beogradi kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizim marrëdhëniesh më 19 prill 2013, në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.