Lajme Shqip Thursday, 24 September 2015 08:40

(E Plotësuar) Manifestimi qendror për territorin e Kosovës kushtuar festës së Kurban – Bajramit u mbajt sot në mëngjes në xhaminë “Sulltan Mehmet- Fatih” (Xhamia e Madhe), në Prishtinë.

Manifestimi filloi në ora 5:45, me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit u mbajt ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga kryeimami i BIK, Sabri ef. Bajgora.

Faljes së namazi të Kurban – Bajramit i priu Resul ef. Rexhepi, ndërsa Hytben – mesazhin, e mbajti myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava.

Pas faljes së namazit, u urua për shëndet, paqe, prosperitet e harmoni

 

Besimtarët myslimanë kremtojnë Kurban Bajramin

Besimtarët shqiptarë, dhe ata në të gjithë botën, sot po festojnë Kurban Bajramin. Për nder të kësaj festë, e cila lidhet me sakrificën që bëhet në emër të profetit Ibrahim, besimtarët myslimanë flijojnë edhe një kafshë, zakonisht dele ose qengj, si kurban dhe mishin e ndajnë me të varfrit dhe familjarët.

Besimtarët mysliman nga Kosova janë mbledhur nëpër xhamitë e komunave të tyre.

Në Prishtinë që nga ora 06:00 ata janë duke e falur Bajramin në Xhaminë e Madhe.

Besimtarët në Shqipëri janë mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të falur namazin e Kurban Bajramit, ndërsa në Kosovë, manifestimi qendror për këtë festë po mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Për nder të kësaj feste, nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu uroi të gjithë shqiptarët, duke thënë se “në këtë festë afrohen zemrat, harrohen urrejtjet, njerëzit shtrijnë dorën e pajtimit, ripërtërihen lidhjet shoqërore e njerëzore, me dashuri e sinqeritet, derisa çdo shtëpi dhe familje të mbushet me gëzim e hare”.

Me një urim për këtë festë, të gjithë besimtarëve myslimanë, iu është drejtuar edhe kreu i bektashinjve, Baba Mondi. “Mbarë bota myslimane do të përjetojë emocionet e ditës së Kurban Bajramit, mëshirës universale dhe mirësisë hyjnore. Si çdo ditë e vitit hyjnor, ne presim 24 shtatorin me urimet më të mira për familjen, për njëri-tjetrin, për fqinjët tanë, të kujtdo besimit të qoftë, për kombin që të ecë në rrugën e prosperitetit”, uroi ai.

Ndërkohë, edhe myftiu i Kosovës, Naim Tërnava ka uruar qytetarët me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke thënë se, vlerat e mirëfillta të kësaj feste manifestohen përmes sakrificës, devotshmërisë, solidaritetit e humanizmit