Lajme Shqip Saturday, 14 July 2012 15:15

Tiranë -Kryeministri Sali Berisha ka mbajtur sot një bashkëbisedim me gazetarët ku ka komentuar cështje të shumta të aktualitetit.

Kreu i qeverisë u pyet mbi tema të nxehta që po debatohen nga politika në media sic janë Reforma Zgjedhore, Imuniteti, Ekonomia, Historia. Berisha aq sa ftoi kreun e PS të reflektojë dhe të votojë pa mëdyshje heqjen e imunitetit, aq dhe e akuzoi numrin 1 të PS, se me deklaratat kundërshtuese që bën, i shton pikë qeverisjes së djathtë. “Opozita shndërrohet në aleat të jetëgjatësisë së këtij pushteti. Rama deklaron për taksa marksiste, për vende imagjinare pune. Zoti na ruajtë nga kjo opozitë”.

Për ta sqaruar më tej këtë shprehje Berisha në vijim të deklaratës së gjatë tha se kjo shpjegohet më saktë nga deklaratat më të fundit të Ramës që kundërshton heqjen e imunitetit. “Lodhja nga qeverisja, sa i përket lodhjes apo clodhjes mos harroni një gjë, janë fenomen normal, por pasioni nuk njeh as lodhje as clodhje. Rama më tha miliarderët i ke në qeveri, në klubin e këshillit të ministrave, atëhere, pse i mban në qeveri, voto pra heqjen e imunitetit” .

Imuniteti 
Kryeministri Sali Berisha theksoi sot se drafti për heqjen e imunitetit është i hartuar nga ekspertët europianë dhe EURALIUS. Ai ftoi kreun e PS të votojë këtë nismë që vjen nga Europa. “Lidhur me imunitetin, unë nuk di cili është qëndrimi përfundimtar i PS, por do theksoj këto gjera, ligji që ne theksuam në parlament, dhe ligji për organizimin e drejtësisë në cdo gërmë, nen për nen, pikë për pikë është ai që kanë paraqitur ekspertët e Europës dhe EURALIUS. Unë kam lexuar dhe t’u them të vërtetën e kam gjetur atë një ligj të mrekullueshëm. E ftoj z Rama të mos rrimë por të pranojmë këtë standard të shkëlqyer dhe të falenderojmë ata ekspertë të cilët vërtet kanë sjellë për mendimin tim një nga variantet më të shkëlqyera. Mos harrojmë që ka vende në Europë ku ka zero imunitet për cdo gjë”.

Kreu i qeveria theksoi se pretendimet e Ramës për ngutje në ndryshimet e Kushtetutës nuk qëndrojnë. Berisha garantoi se ndryshimet nuk e zhbëjnë Kushtetutën. Por megjithatë, sipas Berishës, imuniteti është i tepërt për dokumentin e Kushtetutës. “Rama është Haxhi pishmani, ai pendohet si në 2008, kur bëj gabim mbaj përgjegjësi, kurse ai prapë thotë u nguta. Nuk u ngute mor, nuk është i sinqertë, u punua 4 muaj me grupet e mirëbesimit. Është dokumenti më i shkëlqyer ligjor. Ne të drejtën ta zhbëjmë kushtetutën si vepren e Penelopës nuk e kemi, atë nuk mund ta bëj. E kam deklaruar se imuniteti është standard i tepër në kushtetutën tonë, Pse? Imuniteti ka ardhur duke u hequr. Progresivisht sot ka vende që kanë zero imunitet. Ndaj të kërkosh tani, për ta shpërbërë, kushtetutën mbi bazën e pendesës që ta induktojnë të tjerë, kjo nuk mund të bëhet. Ai ka qenë një akt shumë i mirë i medituar”

Sipas Berishës asnjë politikan nuk duhet të deklarohet pro imunitetit. ‘Në vleësimin tim nuk mund të ketë asnjë politikan që të mund të dalë para qytetarëve dhe t’u thotë, jo unë do rri me imunitet. Më falni se unë kam pak dorë, njëlloj kështu thuhet. Po pse do rrish me imunitet ti, pse e do për cfarë të duhet’.

Duke e vlerësuar si një ligj ndër më të mirët, Berisha theksoi se sërish deputeti ka dallim nga qytetari. “Nuk dua t’a shqiptarizoj dokumentin, le të rrijë sic është sjellë. Është jashtëzakonisht i bazuar në doktrinë. Cfarë është imuniteti, tjetër punë si konceptohet, nuk ka të bëjë me personat, ka të bëjë me mbrojtjen pushtetit nga njëri-tjetrit.
Ekspertë të Europës i kanë bërë zgjidhje të shkëlqyer, deputeti i barabartë me qytetarin, por ka dallim. Se qytetarit i duhet nga Gjykata e Faktit të drejtohet tek Gjykata e Lartë, kurse deputetit dhe ministrit i njihet e drejta të hetohet nga Gjykata e Lartë”.

Armët
Kreu i qeverise i pyetur se opozita e ka akuzuar qeverinë se trafikon në mënyrë ilegale armë, u përgjigj se akuzat e PS janë shpifje dhe teatër. Ai tha se qeveria nuk pengon asnjë nisme hetimore, por shton se PS nuk ka drejtuar asnje kerkese per hetim parlamentar. “Shqiptarët duhet ta dinë se në protokollin e parlamentit nuk është dorëzuar asnjë kërkesë e vetme nga opozita për një komision hetimor parlamentar. Garantoj se kjo mazhorancë nuk pengon dhe një nismë të vetme të parlamentit. Është i qartë si kristali, por këtyre zotërinjve nuk u intereson hetimi, por teatraliteti, të nxijnë dhe damkosin një nga institucion nga më të respektuarit për shqiptarët, sic eshte Ministria e Mbrojtjes. Këtyre nuk u intereson të sjellin projekte nga komisioni parlamentar dhe nuk mund të ketë mëdyshje por u intereson të akuzojnë dhe shpifin pa baza se po bëhet trafik armësh. Në mënyrë absolute kategorike nuk ekziston qoftë dhe një fishek i trafikuar nga ky vend. Procedurat e tregtisë së armëve janë plotësisht transparente. Opozita nuk kërkon kontroll parlamentar, por teatralitet para mediave” .

Sipas Kryeministrit akuzat per pergjim vjen dhe si pasojë e sindomës së kryetarit të saj.
‘A mund të udhëhiqet një parti nga obsebsione të tilla? Ushtria shqiptare ka zbatuar dhe zbaton rregullat e saj si një institucion i depolitizuar. Këto vinë nga një njeri që cdo ditë kthen kolltuqet se mos i kanë vënë ndonjë përgjues, bashkëpunëtorët e tij dhe jo të tjerët’. Berisha mohoi të kishte çdo lloj praktike përgjimi, ndërsa shtoi, se Shqipëria në përputhje me ligjet e vendit dhe ndërkombëtare ka edhe eksporte minimale të fishekëve, gëzhojave, dhe kjo nuk duhet tu serviret shqiptarëve si një veprimtari trafiku.

Rishikimi i Historise 
I pyetur se është akuzuar për revansh, sidomos me deklaratat e bëra me rastin e festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë, kryeministri tha se ai i qëndron qëndrimit se historia duhet rishikuar. “Festimet për 100 vjetorin. Synoj ta shndërrojmë këtë 100-vjetor në një piedestal. Kemi ardhur në këtë 100-vjetor si një komb me histori të falsifikuar. Une kam thene se historia duhet rishikuar, nderkohe më atribuojnë disa gjëra që nuk i kam thënë kurrë”.

Sipas Berishes, ky 100 -vjetor duhet te sherbeje per analiza te thella. ‘Duhet të jetë një 100 vjetor analize, ideja se Berisha po nxjerr në pah figura nga veriu dhe Kosova, këto janë qëndrime antikombëtare. Enver Hoxha nuk e përjashtoi Ahmet Zogun se ishte nga Mati, por sepse cdo ditë ia errësonte pushtetin e tij. Historia duhet të gjykohet në kontekstin e kohës dhe të rrethanave. Kanë dalë debate për numrin e dëshmorëve, nuk e di sa është por di që shqiptarët kanë luftuar, është e patolerueshme të shpallësh dëshmorë ata që nuk janë” .

Ekonomia
‘Për ekonominë shqiptare preferoj të flas me të dhënat e institucioneve ndërkombëtare. Ekonomia shqiptare ka patur një rritje, sipas Komisionit Europian, katër herë më të madhe sesa mesatarja e vendeve të rajonit dhe kjo në sajë të modelit tonë të qëndrueshëm ekonomik. Rama shprehet ndryshe. Kërkon të risjellë taksat marksiste. Zoti na ruajtë nga kjo opozitë”, ishin disa nga komentet e Berishës bërë për këtë cështje.

Pavarësisht problemeve dhe papunësisë arritjet e ekonomisë shqiptare nuk mund të përmbysen, tha kryeministri Berisha. “Jo se nuk e di që janë disa të papunë, dhe se ata robtohen në hallet dhe dertet e tyre me dhimbje të pandërprera. Jo se nuk e di se ka biznese që falimentojnë. Jam i vetëdijshëm që ka biznese që përballen me arbitraritete administrative. Por të gjitha këto nuk mund të përmbysin se ekonomia shqiptare ka patur një rritje.

Reforma Zgjedhore
‘Jam shumë i kënaqur që reforma zgjedhore do të votohet. Po ashtu jam i kënaqur për të gjitha koncesionet që ne ofruam në këtë proces. Është në detyrimin e qeverisë të bëjë koncesionet maksimale të mundshme opozitës në ligjin e zgjedhjeve”, tha Berisha. 

Nëse humb në vitin 2013
I pyetur se cfarë veprimi do të ndërmerrte si politikan nëse do të humbte zgjedhjet në vitin 2013, Berisha tha “Nëse humb zgjedhjet në vitin 2013? Do marr vendime që do më diktojë sovrani dhe do i marr sic do të mi diktojë sovrani. (LajmeShqip.com)