Lajme Shqip Thursday, 11 July 2013 20:30

Tiranë – Gara për kreun formal të Partisë Demokratike ka prodhuar tension dhe ka detyruar kryetarin në detyrë të Partisë Demokratike të humbasë qetësinë dhe të përplaset me ish- vartësit e tij.

Debati i parë i ashpër është zhvilluar mes tij dhe Sekretarit të Përgjithshëm, Ridvan Bode, i cili duhet të ishte aktualisht njeriu që duhet të drejtonte PD-në pas dorëheqjes së Berishës. Shkak për sherr është bërë fushata e ish- këshilltarit për median i Bodes, Elvi Fundo në Korçë, i cili është shprehur hapur për Olldashin.
Berisha ka pasur një bisedë të tensionuar në telefon me Boden, duke i kërkuar dorëheqjen e Fundos, raporton tema.
Bode duket se i ka dëshmuar që Fundo ka dhënë dorëheqjen, por i ka treguar se këshilltari i tij, Glori Hysi, po bënte fushatë të hapur për Bashën në emër të Berishës.
Kaq ka mjaftuar që Berisha të humbasë qetësinë dhe të degradojë biseda.
Pak më vonë në shenjë hakmarrje Berisha ka shkarkuar kryetarin e Partisë Demokratike në Durrës, Igli Cara, duke e ngrirë nga gjithë funksionet dhe ka nisur njerëz në Durrës të sekuestrojnë listat e PD-së.
Tensioni është rritur së tepërmi, ndërsa Basha i raporton Berishës çdo ditë kundër Topallit, Bodes, Patozit dhe ish- drejtuesve të tjerë të lartë të PD-së, që sipas tij po angazhohen hapur kundër tij.
Kjo ka shkaktuar dhe debatin e ri të Berishës me Topallin duke e detyruar këtë të fundit të bëjë deklaratë publike për neutralitet.
Edhe pse Berisha ka deklaruar formalisht se ka dhënë dorëheqje, sjellja e tij ndaj drejtuesve të PD-së është njësoj si të jetë kryetar i PD-së, duke i urdhëruar dhe kërcënuar ata.
Edhe pse formale, fushata ka arritur të prodhojë tension dhe të detyrojë Berishën të humbasë qetësinë duke u shprehur hapur pro Bashës, duke sulmuar gjithkënd që është kundër tij.