Lajme Shqip Friday, 25 January 2013 15:06

Mitrovice – Vendosja e barrikadave nga ana e serbëve të enjten në rrugën Mitrovicë – Leposaviq, në afërsi të Rudares, ka vështirësuar qarkullimin e banorëve të tri fshatrave shqiptare të Leposaviqit.

Për shkak të pengesave në rrugë ata të premten janë detyruar që të lëvizin përmes Zveqanit, dhe nëpër Lagjen e Boshnjakëve për të arritur në Mitrovicë.

Transportin e kanë falas, mirëpo rrugën nuk e kanë të sigurt. Kështu jetojnë banorët e fshatrave Bistricë, Cerajë dhe Koshtovë të komunës së Leposaviqit prej përfundimit të luftës.

Qarkullimi i tyre është vështirësuar së tepërmi për shkak të vendosjes së barrikadave nëpër rrugë nga grupet serbe.

Përfaqësuesi i banorëve të Cerajës, Lulzim Hetemi, thotë se njëjtë ka ndodhur edhe sot pas vendosjes së barrikadës në Rudare.

“Deri para tre ditësh kemi udhëtuar nëpër magjistralen e Ibrit, ndërsa utobusi qarkullon tre herë në ditë. Dje në mëngjes i kemi parë barrikadat në udhëkryqin Zveqan-Rudare. Pas vënies së barrikadave në Rudare, jemi duke udhëtuar nëpër ‘Lagjen e boshnjakëve’, ka thënë Hetemi.

Sipas tij, banorët që udhëtojnë me këtë autobus janë të frikësuar, meqë duhet të lëvizin nëpërmjet rrugicave në vendbanimet serbe.

Ndryshe, banorët e këtyre fshatrave në thellësi të veriut të Kosovës ankohen edhe për mos mbështetje sa duhet nga institucionet kosovare.

Në radhë të parë përmendin nevojën për rregullimin e një rruge malore që i lidh me Mitrovicën e cila tashmë është bërë e pakalueshme. (K.P/LajmeShqip.com)