Lajme Shqip Tuesday, 21 July 2015 12:12

Fakulteti i Mjekësisë këtë vit akademik do të pranojë 335 studentë të rinj, ku prej tyre 52 do të jenë nga vendet e rajonit e 26 minoritarë. E, konkurrenca më e madhe nga gjashtë degë sa edhe ka ky fakultet ka qenë në Degën e Infermierisë dhe Stomatologjisë.
Arsim Bajrami, ministër i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, tha se këtë vit akademik është zvogëluar numri i studentëve për shkenca shoqërore ndërsa është rritur për ato natyrore.

“Jemi të vendosur që të përshtatemi me pranimin e studentëve me nevojat e tregut të punës. Nuk kemi nevojë për të pranuar studentë për të rritur armatën e të papunëve, kemi nevojë të pranojmë aq student sa mund edhe të punësohen dhe kjo është një planifikim i mirë që ne po bëjmë sepse në të kaluarën kemi pas një politikë të paplanifikuar të pranimit të studentëve dhe kjo ka shkaktuar një numër të madh të papunëve , ka thënë Bajrami.

Salih Ahmeti, dekan i Fakultetit të Mjekësisë, deklaroi se edhe këtë vit konkurrenca në Fakultetin e Mjekësisë është mjaft e madhe.

“Konkurrenca është mjaft e madhe edhe këtë vit. Përafërsisht sikurse edhe në vitet e kaluara sillet sidomos, më e madhe është për infermieri dhe stomatologji kurse sillet një për dhjetë apo një për njëmbëdhjetë. 335 do të pranohen nga gjashtë degë, 52 janë jashtë Kosovës nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia dhe 26 janë minoritarë”, pohoi Ahmeti.

Ndërsa, Ramadan Zejnullahu, rektor i UP-së, pohoi se gjatë provimit pranues nuk do të ketë probleme sepse sipas tij angazhimi i shtuar i stafit nuk do të lejojë një gjë të tillë.

“Gjykuar sipas përgatitjeve që janë bërë me kohë nga stafi i Fakultetit të Mjekësisë shpresojmë se çdo gjë do të shkojë ashtu si janë bërë përgatitjet. Nuk presim që do të ketë probleme sepse me një angazhim kaq të shtuar të gjithë stafit sigurisht që gjitha ato probleme që duhet të vijnë janë parapa me kohë kështu që nuk do të ketë probleme”, tha Zejnullahu.

Shpallja e rezultateve të provimit pranues do të bëhet më së voni deri më 23 korrik në fakultetet përkatëse, ndërsa kandidatët të cilët nuk do të pranohen mund t’i tërheqin dokumentet e tyre nga tre deri më shtatë gusht. /Tribuna Chanel/