Lajme Shqip Saturday, 26 September 2015 19:08

Mes mijëra kërkesave dhe lutjeve për të qëndruar në Gjermani, qeveria gjermane ka mohuar kërkesën e një shtetasi shqiptar për të përfituar azil.

Ngjarja ka ndodhur në fillim të këtij muaji dhe sot 36-vjeçari Albert Kulemani, i cili shkoi së bashku me gruan e tij në Mynih në muajin gusht, ka bërë gati valixhet e tij në pritje për t’u larguar.

Historia e azilkërkuesit shqiptar është bërë publike në gazetën “Wall Street Journal”, në të cilën flitet për masat e ashpra që ndërmerr Gjermania për ata që nuk kualifikohen për të marrë azil.

“Autoritetet këtu nuk na tregojnë asgjë më parë. Ata na japin pesë apo 10 minuta për të marrë rrobat tona dhe asgjë tjetër”, thotë Kulemani.

Gazeta shkruan se pas mirëpritjes së refugjatëve nga Gjermania, fshihet një politikë e ashpër për njerëzit që nuk kualifikohen për azil. Përpjekja e autoriteteve për dëbimin e refugjatëve që nuk plotësojnë kushtet, veçanërisht ata nga vendet e Ballkanit, është shumë e rëndësishme, thonë zyrtarët, për t’iu lënë hapësirë autoriteteve që të përballen me emigrantë nga Siria dhe për të dekurajuar njerëzit që të lënë vendin e tyre për arsye ekonomike.

Por kjo përpjekje është edhe pjesë e planit të qeverisë për të siguruar mbështetje të qytetarëve për propagandën e kancelares Angela Merkel, e cila ka bërë thirrje që vendin të mbajt dyer hapur për refugjatët që largohen nga vendet e tyre për arsye lufte dhe dhune. Dhe mesazhi është i qartë: Ata që largohen nga vendi i tyre thjesht në kërkim të një jete më të mirë, do të dëbohen sërish. Gjermania tani po punon për të dekurajuar emigrantët që largohen nga vendet e tyre për arsye ekonomike.

Statistikat tregojnë se nga janari në gusht, numri i emigrantëve që kanë kërkuar azil në Gjermani është 231 302 persona dhe përbëjnë 40% të aplikuesve. Gjermania ka klasifikuar zyrtarisht Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi si vende të sigurta të origjinës, që do të thotë se qytetarët nga këto shtete nuk do të përfitojnë azil.

Qeveria do t’u paguajë qeverive federale 670 euro çdo muaj për çdo refugjat që hyn në territorin gjerman. Marrëveshja është arritur mes kancelares Merkel dhe kryeministrave të 16 shteteve federale.

Gjermania do të japë 500 milionë euro për ndërtimin e shtëpive sociale dhe 350 milionë euro të tjera për akomodimin e refugjatëve që kanë fëmijë minorenë.