Lajme Shqip Friday, 30 October 2015 13:06

Avokatët mbrojtës në rastin MTPT, në të cilin është duke u hetuar edhe Fatmir Limaj, kanë deklaruar se aktakuza nuk është e ligjshme për shkak se përmban termin aktakuzë e konsoliduar gjë që nuk e njeh ligji një term të tillë.

Sipas tyre, ligji e njeh termin aktakuzë e zgjeruar apo e ndryshuar dhe kanë thënë se nuk e din se çka do të thotë me termin aktakuzë e konsoliduar.

Avokatët kanë shprehur shqetësimin e tyre se si do të vazhdojë ky rast nëse nuk përmirësohet. Ndërkohë, trupi gjykues ka shkuar në një pauzë për t’u konsoliduar se si do të veprojnë në vazhdim.

Seanca për harmonizimin e datave të gjykimit në rastin e MTPT-së, ku po akuzohet Fatmir Limaj dhe të akuzuarve të tjerë, ka filluar me njoftimin e përfaqësuesve të palës mbrojtëse dhe trupit gjykues. Këtë të fundit kanë ndryshuar dhe kjo ka bërë që të reagojnë avokatët, duke e quajtur si shkelje esenciale të procedurave gjyqësore.

Fatmir Limaj po përfaqësohet nga avokatët Tahir Recaj dhe Tomë Gashi, Endrit Shala- me dy avokat Arianit Koci dhe Granit Vokshi, Nexhat Krasniqi me avokatin Bujar Mavraj, Florent Zuka me dy avokat Bler im Prestreshi dhe Hekuran Haxhimusa, si dhe Shpetim Kelaku me avokatin Sevdali Zejnullahu.

Kurse, kryetar i trupit gjykues është Maria Tuma, me anëtarët e tjerë Jeniifer Fill dhe Isuf Makolli, dhe stafi mbështetës.

Avokatët mbrojtës në përgjithësi kanë thënë se gjyqtarët dhe trupi gjykues nuk është i njëjtë në raport me seancat e kaluara dhe që sipas tyre paraqet shkelje esenciale.

Maria Tuma ka thënë se për shkak se gjyqtarja e trupit gjykues të seancave të kaluar Anna Adamsa tani ka një pozitë tjetër është dashur të zëvendësohet me një anëtar të ri të trupit gjykues. KosovaPress.