Lajme Shqip Thursday, 22 October 2015 15:56

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) i ka bërë thirrje rektorit të shkarkuar të Universitetit të Prishtinës që të kthehet në detyrë.

“Është bërë shkelje substanciale në procedurë prandaj kemi marrë vendim për rikthimin e Rektorit. Ai për ne është në detyrë. Unë i bëj thirrje Rektorit që të kthehet në detyrë”, ka thënë ministri Bajrami.

Bajrami ka thirrur konferencë për shtyp një ditë pasi gjashtë anëtarë të Këshillit Drejtues shkarkuan rektorin e UP-së, Ramadan Zejnullahu dhe në të njëjtën ditë kur ai anuloi këtë vendim.

Bajrami e cilësoi “të ngutshëm” këtë vendim ndërsa tha se ministria e tij ka preferuar gjithmonë që kontestet ndërmjet palëve në Universitet të zgjidhen përmes bashkëbisedimit.

“U bëj apel të gjithëve Rektorit, dekanëve, anëtarëve të senatit, përfaqësuesve te studentëve të ulen dhe të bisedojnë për një zgjidhje akademike”, tha Bajrami.

Sipas ministrit Bajrami, Qeveria e Kosovës dhe MAShT janë të vendosur për të krijuar stabilitet në UP.

“Kemi kërkuar që të gjitha mosmarrëveshjet që kemi parë të zgjidhen me një debat të kulturuar dhe akademik. Kemi kërkuar nga secili të heq dorë nga egot dhe inatet personale”, tha Bajrami në konferencën për shtyp.

Ai theksoi se Universiteti i Prishtinës është “universiteti më i madh në rajon” dhe se tani është në një pikë vendimtare për të krijuar cilësi.

Bajrami shtoi se në bazë të Statutit, kërkesa e 28 senatorëve do të duhej të votohej në Senat, jo në formë të peticionit.