Lajme Shqip Thursday, 23 July 2015 11:22

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur arrest shtëpiak për një muaj ndaj Salih Mekaj, si masë të sigurisë ndaj tij si dhe konfiskimin e pasaportës së tij.

Gjykata kështu ka refuzuar kërkesën e prokurores Drita Hajdari për paraburgimin e tij. Kjo u konfirmua për ‘Koha Ditore’ nga kryetari i Gjykatës Themelore, Hamdi Ibrahimi.

“Arrest shtëpiak dhe konfiskim i pasaportës”, ishte përgjigja e Ibrahimit.

Ndërkohë përmes një komunikate për medie Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar vendimin me rastin e vendosjes sipas kërkesës Prokurorisë Speciale të Kosovës për caktimin e masës së sigurisë ndaj tani të pandehurve: Sali Mekaj dhe Vlora Gorani,vendosi që ndaj tyre të caktojë masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji, duke llogaritur nga data e ndalimit, përkatësisht arrestimit.

Masa e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit Sali Mekaj është caktuar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 të KP të RK-së dhe të Ushtrimit të ndikimit nga neni 431 par. 1 të KP të RK-së , ndërsa ndaj të pandehurës Vlora Gorani për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Dhënie e ryshfetit nga neni 429 par. 3 të KP të RK-së.

Ndaj të dy të pandehurve është shqiptuar edhe masa e sigurisë – konfiskim i pasaportës.