Lajme Shqip Monday, 28 September 2015 09:25

Dy pronarët e “Apex” (Play4Ëin) dhe nëntë bashkëpunëtorët e tyre, të hënën (sot), do të ulen në bankat e të akuzuarve. Ata dyshohen për krim të organizuar, të zhvilluar në kuadër të një grupi kriminal që synonte që përmes kërcënimeve e shantazheve, të eliminonin të gjithë konkurrentët e tyre.

Duke përdorur shantazhe e kërcënime nga më të ndryshmet, vëllezërit Arben dhe Astrit Krasniqi për vite të tëra e kanë mbajtur si biznes në Kosovë kompaninë e kazinosë “Apex”.

Këtë biznes e kanë mbajtur duke përdorur mënyra të ndryshme për t’i eliminuar konkurrentët e tyre.

Nuk i kanë kursyer as rrahjet, as thyerjet e lokaleve e as përdorimin e njerëzve me ndikim, vetëm e vetëm të jenë “bosët” e vetëm të “Apex”-it në Kosovë.

Por veprimtaria e tyre është ndërprerë më 23 tetor të vitit 2013 kur dy vëllezërit së bashku me Arben Nezirin ishin arrestuar, ndërsa ishin bastisur bizneset dhe lokacionet e tyre të banimit.

Tashmë kur kanë kaluar dy vjet që nga aksioni policor që ishte zhvilluar me kërkesë të prokurorit të misionit EULEX, vëllezërit Krasniqi dhe nëntë të dyshuar të tjerë, të hënën pritet të ulen në bankën e të akuzuarve.

Përgjimet që zbuluan grupin kriminal

E tërë veprimtaria kriminale e grupit është zbuluar si rezultat i përgjimeve telefonike të kërkuara nga Prokurorja e të urdhëruara nga gjykata. Janë përgjuar të gjithë të pandehurit por më së shumti vëllezërit Krasniqi, të cilët kërcënime i kanë bërë përmes telefonit dhe pos tyre i kanë udhëzuar edhe personat e tjerë që të veprojnë në mënyrë që askush tjetër të mos ushtrojë veprimtarinë e njëjtë, e sidomos ta zhvillojnë veprimtarinë e tyre në afërsi të lokaleve ku i kanë pasur vëllezërit Krasniqi.

“Vallahi s’guxon  njeri i gjallë me shti Apex në Kosovë”, thuhet mes tjerash në një bisedë telefonike të realizuar në qershor të 2013-ës në mes të Astritit dhe një personi të quajtur Mustafë, person i cili e kishte telefonuar atë për t’i treguar se donte të sillte disa makina të kazinove “Apex” në Kosovë.

“Okej unë veç t’thirra me t’informue daja jem, respekt, me t’kallxu që qeshtu qeshtu o puna” ia kishte krhyer Mustafa atij.

“Nuk ka ktu respekt”, ia kishte kthyer Astriti. Por Mustafa kishte insistuar edhe më tej që të sillte “Apex” në Kosovë.

“E ti bone ata tonen e na i kemi shti edhe ko mi shti… tash ti bone tonen, veç mos thirr najkah tjetër me interveu naksen, po t’kallxoj se unë nuk shkoj përma”, ia kishte kthyer Mustafa.

“Mos shit ti mu filma ktu, për Apeks e vras njerin, a je t’u marrë vesh”, e kishte kërcënuar Astriti-Mustafën në një bisedë tjetër të zhvilluar pas pak çastesh.

Astriti i afërt me me Haradinajn

Mustafa, sipas aktakuzës është nip i Ramush Haradinajt, ndërsa tetë ditë më vonë ai e kishte telefonuar Astritin për të biseduar me të, në lidhje me një aparat të kazinosë që ia kishin thyer njerëzit e Astritit.

“Thash t’takohem që e lam, se sot aty ishin shku, a e din që e lam mu taku që jemi marrë vesh, e u kanë një aprat i hjekun në rrymë, a din qysh i laj, ishin shku dikush e kishin thy edhe e kishin lanë selamin që gjoja prej juve vjen”, i kishte thënë Mustafa. Astrit Krasniqi nuk kishte thënë asgjë, por vetëm ia kishte kaluar telefonin Daut Haradinajt që të bisedojë me nipin e Mustafës.

“Hajt bre dajë shko merru me naj punë tjetër ma t’meçme”, i kishte thënë Haradinaj, Mustafës.

Biseda ishte ndërprerë, ndërsa në numrin e Astritit menjëherë kishte ardhur një mesazh nga një person i quajtur Princ Dobroshi. “Nuk ishte një gjë e mirë për ju të thyeni aparatet”, kishte shkruar ai. /Zëri