Lajme Shqip Thursday, 24 September 2015 14:19

Ndonëse kërkesa e opozitës kosovare për të shkuar në zgjedhje është legjitime, sipas analistëve kosovar nuk ka elemente tjera të cilat do të mund ta dërgonin vendin në zgjedhje. Sipas tyre, edhe nëse kemi një situatë hipotetike të mbajtjes se zgjedhjeve nacionale, është pak besueshme që do të ndryshonte renditja e partive politike.

Analisti Driton Selmanaj, mendon se fillimisht duhet gjetur konstatimi nëse kemi krizë politike në vend, sepse sipas tij, deri më tani nuk duket që kemi krizë të legjitimitetit të numrave në Kuvend.

Ai ka thënë se nëse dikush prej partive opozitare e konteston legjitimitetin e kësaj qeverie, atëherë ata kanë mundësi ta bëjnë një mocion të mosbesimit – ku mblidhen një të tretat e nënshkrimeve të deputetëve – diku 40 deputetë, dhe më pas vendosin për mocionin e mosbesimit, nëse duhet rrëzuar këtë Qeveri dhe vendi të shkojë në zgjedhje.

“Vetë kryeministri i vendit mund të kërkoj mocion votëbesimi, e që i bie që të kërkoj edhe njëherë, për t’ia dëshmuar edhe opozitës, që ai e ka besimin e plotë nga Kuvendi i Kosovës. Madje, mendoj se kjo është rruga që duhet ta ndjek Qeveria, e kjo është që kryeministri të paraqet kërkesë që të votëbesohet përsëri”, ka thënë ai.

Sipas tij, nuk duket që ka hapësirë për zgjedhje, derisa e kemi një stabilitet të Qeverisë, duke shtuar se koalicioni qeverisës ka numra të mjaftueshëm në Kuvend, për të qeverisur me vendin.

“Prandaj në këtë situatë nuk duken zgjedhjet si opsion për dalje nga kjo situatë e papëlqyer politike. Atë që unë po e shoh është zgjedhjet nuk janë opsion real për të ndryshuar hartën e partive politike”, ka shtuar Selmanaj.

Analisti Imer Mushkolaj, ka thënë për Telegrafin se dëshira e opozitës kosovare që në Kosovë të ketë zgjedhje, është shumë normale për secilën opozitë kudo në botë.

Sipas tij, kjo ide është sforcuar më tepër prej pafuqisë politike momentale që e ka opozita në Kuvend, duke shtuar se kërkesën për zgjedhje opozita e ka bërë si kërkesë kryesore të saj.

“Varet shumë çfarë qasje do të ketë koalicioni qeveritar karshi opozitës, dhe pastaj do të shihet nëse kjo kërkesë ose ky qëllim, do të mund të realizohet. Besoj që opozita planifikon që zgjedhjet të mbahen nga mesi i vitit të ardhshëm.

Në këtë qëllim të pozitës ka shumë rol zgjedhje e presidentit, që pritet të ndodh vitin e ardhshëm”, ka thënë Mushkolaj.

Sipas tij, deri tani nuk kanë parë që shefi i Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa ka realizuar premtimet që i ka dhënë, “kur dihet se ata që i fitojnë zgjedhjet e kanë një plan se çka duhet të punojnë”.

“Mustafa po merret me menaxhimin e krizave që po i lindin njëra pas tjetrës. Arsyetimi se nuk po i jepet kohë dhe mundësi për ta treguar veten, nuk është i qëndrueshëm. Mospasja e një plani të qartë për punët që duhet të kryhen nga ana e Qeverisë Mustafa, dhe mungesa e realizimit konkret të punëve qon ujë në mulli të opozitës – në kërkesën që të ketë zgjedhje sa më parë”, ka shtuar Mushkolaj./Telegrafi