Lajme Shqip Friday, 17 January 2014 13:24

Fondacioni Islamik Humitar “IHH”, i cili u bastis javën e kaluar në Turqi, për shkak të lidhjeve të tij me rekrutimet për luftëtarë nga vendet e Ballkanit për konfliktin Sirian, duket se ka hapur një problem të madh për të gjithë rajonin. Nga burime të sigurta brenda forcave të antiterrorit të Policisë së Shtetit, autoritetet turke kanë dhënë alarmin se disa misionarë të fondacionit IHH kanë vizituar së fundi disa nga vendet e Ballkanit dhe janë stacionuar brenda rretheve fondamentaliste  islamike. Në krye të listës së këtyre vendeve është përfshirë edhe Shqipëria, ku janë dhënë informacione për disa xhami, shkolla dhe fondacione islamike në Tiranë, Durrës dhe Kavajë, të cilat kanë strehuar misionarët e Al QAEDA dhe po vijojnë rekrutimet e të rinjve shqiptarë drejt Sirisë. Forca të Antiterrorit të Policë së Shtetit dhe punonjës të Shërbimit Informativ Shtetëror, pasi kanë marrë këtë informacion nga autoritetet turke, janë hedhur menjëherë në aksion duke kontrolluar të gjithë personelin e fondacioneve dhe shkollave islamike në vend, si dhe duke mbajtur në survejim të vazhdueshëm disa prej xhamive në qytetet e mësipërme. Gjithashtu, masa të tjera janë marrë për mbajtjen nën mbikqyrje të disa rrjeteve sociale me karakter fetar, si dhe janë kaluar në sitë nëpërmjet sistemit të kalimit kufitar TIMS, të gjithë shtetasit e huaj të ardhur në Shqipëri pas shtatorit 2013. Po ashtu, siç bëhet e ditur, së fundi, edhe qeveria dhe forcat e Policisë në Bosnjë Hercegovinë kanë nisur një aksion të ngjashëm për identifikimin dhe arrestimin e personave të lidhur me këtë rrjet, të cilët janë bërë një rrezik serioz për rendin dhe sigurinë në të gjithë rajonin.  Por, pas Kosovës dhe Bosnjës, tashmë është në shënjestrën e organizatës famëkeqe Al QAEDA është Shqipëria, e cila shikohet si mundësi për të mbledhur luftëtarë për në Siri. Sinjalet për zbarkimin e anëtarëve të Al QAEDA në territorin e Shqipërisë, nuk janë dhënë vetëm nga shërbimet inteligjente të vendeve të rajonin, por pikësëpari nga shërbimet ndërkombëtare. Edhe pse shqetësimi për depërtimin e Al QAEDA në Shqipëri nuk ka plasur ende në nivelet e larta politike, tensioni dhe alarmi ziejnë në mënyrë të nëndheshme. Gjithsesi, disa eksponentë të opozitës shqiptare kanë dhënë alarmin për rreshtimin e shqiptarëve në krah të militantëve islamikë në Siri, çdo mund të ketë pasoja të rënda për imazhin e Shqipërisë.   

 

Rekrutimet nga Turqia 

 

 Pjesëtarët e Fondacionit Humanitar “IHH”, të cilët u ndaluan në provincën jugore të Kilis, si pjesë e një operacioni kundër organizatës terroriste Al QAEDA, kanë rekrutuar shqiptarë në Tiranë për të luftuar në Siri. Burime diplomatike të shtetit turk, bënë me dije se 90 shqiptarë në Tiranë janë rekrutuar nga Turqia. “Grupi i fundit që ishte rekrutuar përbëhej nga 90 shqiptarë të cilët kishin fluturuar nga Tirana në Stamboll me një avion turk nr 1078 në qershor të 2013. Pavarësisht përpjekjeve të IHH për të rekrutuar ushtarë për Ushtrinë Çlirimtare të Sirisë, rreth 450 shqiptarë myslimanë dezertuan pas disa javësh luftime dhe bashkimit me al Nusra Front, një grup i Al QAEDA që drejtonte luftën e kryengritjes”, kanë cituar mediat turke.   

 

 Ekspertët japin alarmin

 

  Ekspertët e sigurisë japin alarmin për rreshtimin e shqiptarëve në krah të militantëve në luftën e Sirisë. Ekspertë sqarojnë edhe mënyrën e organizimit të militantëve për të rekrutuar luftëtarë në Siri. Faqet e Facebook tregojnë se islamikët po përdorin internetin për të rekrutuar luftëtarë për organizatën ISIS (Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë), një grup i lidhur me Al QAEDA. Një faqe në Facebook, e quajtur Krenaria Islame, ka më shumë se 2500 ndjekës dhe poston foto e propagandë në emër të shqiptarëve që luftojnë për ISIS në Siri. Ekspert i sigurisë në Tiranë, Arjan Dyrmishi, pohon se një numër kaq i madh ndjekësish janë një kërcënim. “Nëse të gjithë ndjekësit e kësaj faqe identifikohen si terroristë, kjo do ishte një ushtri e vogël, e cila mund të përbëjë një problem të madh. Një numër kaq i madh ndjekësish do ishte një kërcënim, edhe nëse këta njerëz thjesht identifikohen si mbështetës të Islamit politik”, thotë Arjan Dyrmishi.   

 

 Organizimi 

 

Po si janë organizuar militantë dhe raporti i tyre me Al QAEDA. Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë, ISIS, u themeluar në vitet e para të luftës në Irak. Ata u angazhuan për besnikëri ndaj Al QAEDA në vitin 2004, duke u njohur edhe si Al QAEDA në Irak. Grupi, i përbërë nga një numër grupesh rebele, fillimisht tentuan që të ngrenë një kalifat suni në Irak, por që prej atëherë i kanë shtrirë synimet e tyre, duke përfshirë edhe Sirinë. Faqja në Facebook, Krenaria Islame, përfshin video të xhihadistëve, të përkthyera në shqip, vlerësim për muxhahedinët me prejardhje shqiptare, që kanë vdekur duke luftuar në Siri dhe video ku sulmohet demokracia si e papërputhshme me Islamin. E njëjta faqe fton myslimanët shqiptarë të bashkohen me organizatën, duke lëshuar lëvdata për ish- liderin e Al Kaedës dhe terroristin Osama Bin Laden.  

 

Rreziku për Shqipërinë 

 

 Nën presionin e SHBA dhe fuqive perëndimore, organizata terroriste si Al Kaeda po fokusohen në këtë kohë në objektiva më të butë dhe po punojnë me grupe të vogla. “Megjithatë, edhe një grup i vogël personash të radikalizuar mund të jetë një sfidë e madhe për sigurinë kombëtare. Të gjithë veteranët që kthehen nga konflikti në Siri janë kërcënim për shkak të pikëpamjeve të tyre ideologjike si promovues të Islamit politike, por edhe për shkak të faktit se në çdo moment çdonjëri prej tyre mund të kryejë sulme të ngjashme si ato që kemi parë në Londër dhe Paris,” thonë ekspertët. Ata kujtojnë vrasjen shokuese në rrugët e Londrës të një ushtari britanik nga islamikë ‘të vetmuar’, dhe plagosjen e një ushtari francez në një patrullë në Paris vitin e shkuar.  

 

Reagon Komuniteti Mysliman

 

Komunitetin Mysliman në Tiranë ka reaguar pas lajmeve për rekrutimin e shqiptarëve në luftën e Sirisë. Nënkryetari i këtij komuniteti, Gazmend Aga, ka deklaruar se besimtarët shqiptare që kanë shkuar në Siri për “Xhihad”, ose e njohur si “Lufta e shenjtë”, janë mashtruar, pasi një nismë e tille bie ndesh me parimet bazë të fesë myslimane. Përfaqësuesi i Komunitetit Mysliman në vend ka shuar edhe më tej, kur thotë se janë porositur klerikët nëpër xhami që t’u tërheqin vëmendjen besimtarëve që të jenë të kujdesshëm ndaj çdo nxitje të tillë. Në Siri, ku jeton dhe një komunitet shqiptar, krahas luftës me mbështetësit e presidentit Bashar al-Assad ka dhe një përplasje mes tre grupeve në radhët e rebelëve. /sot news/