Lajme Shqip Tuesday, 29 September 2015 14:01

Presidenti i Partisë Liberal Demokratike në Serbi, Çedomir Jovanoviq në një intervistë për “Zërin” ka pranuar se ish-kryeministri serb, Zoran Gjingjiq ka pasur një iniciativë për Republikën e Kosovës.

Jovanoviq, i cili ishte njëri prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të kryeministrit të ndjerë të Serbisë ka thënë se, Gjingjiq ishte në dijeni se çdo marrëveshje që mund të arrihej atëherë do të ishte më e mirë se ajo që ne mund ta arrijmë në të ardhmen dhe se çdo vonesë rrezikon në mënyrë të barabartë interesat e Serbisë.

“Njerëzit i duan mjaft thashethemet, iu pëlqen t’i përhapin ato, i zmadhojnë dhe i kthejnë në mite. Iniciativa e Zoranit (Gjingjiq) lidhur me Kosovën ishte mënyra që edhe kjo çështje të merrej nga duart e nacionalistëve dhe populistëve, të cilët përmes Kosovës për dekada të tëra e kanë mbajtur Serbinë të stagnuar dhe e kanë penguar për t’u transformuar në një shoqëri moderne evropiane. Rreth kësaj nisme, sot paraqiten mitet më të zakonshme dhe spekulimet e gabuara, duke përfshirë teorinë çmendur se Zorani u vra në një komplot të fuqive perëndimore për shkak të pretendimeve nacionaliste”, ka thënë ai.

Sipas tij, e vërteta është shumë më e thjeshtë: ajo ishte mënyra e tij që të përpiqej për t’i lëvizur gjërat nga pika zero, dhe se, edhe pse nuk kishte vendime përfundimtare të zgjidhjes së problemit, të shkohej në krijimin e një lloj konsensusi mes Serbisë, Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, për shkak se ai ishte i vetëdijshëm se me prolongimin e zgjidhjes së problemit Serbia rrezikon të ardhmen e saj evropiane. Politika e ndjekur nga Serbia kundrejt Kosovës gjithmonë dukej e njëjtë, me bindjen se bllokimi i akrepave të orës mund të ndalë kohën.

“Përkundrazi, Zorani ishte në dijeni se çdo marrëveshje që mund të arrihej atëherë do të ishte më e mirë se ajo që ne mund ta arrijmë në të ardhmen dhe se çdo vonesë rrezikon në mënyrë të barabartë interesat e Serbisë, komunitetit serb në Kosovë, si dhe Kosovën dhe të gjithë njerëzit që jetojnë atje”, është shprehur ai. /Zëri/