Lajme Shqip Monday, 08 July 2013 19:42

Elbasan – Një aksident me pasoja tragjike është shënuar pasditen e së hënës në aksin Elbasan-Librazhd, pranë fshatit Xibrrakë. Si pasojë e përplasjes së 3 mjeteve, 4 persona kanë humbur jetën ndërkohë që disa të tjerë janë plagosur rëndë. Sipas informacioneve paraprake nga vendi i ngjarjes, një mjet tip “BMW” për shkak të një parakalimi të gabuar i ka prerë rrugën një furgoni pasagjerësh të linjës së Korcës. 

Në tentativë për të evituar përplasjen, drejtuesi i furgonit ka devijuar duke i prerë rrugën një kamioni i cili më pas ka përplasur të dyja mjetet. Mjetet e përfshira në aksident janë makina “BMË” me targa “AA 971 EA”, furgoni me targa “LB 001 A” dhe kamioni me targa “KO 7579 B”, transmeton TCH. 
Kanë qenë dëshmitarët në vendin e ngjarjes ata që lajmëruan menjëherë policinë, por megjithë ndërhyrjen e uniformave blu dhe të shërbimit zjarrfikës ka qenë mjaft e vështirë nxjerrja e të plagosurve nga furgoni, për shkak të dëmtimit të rëndë të mjetit. 
Për rreth 30 minuta të plagosurit nuk kanë mundur të dalin nga mjeti i përplasur. Për shkak të ngjarjes së rëndë dhe punës intensive të policisë ende nuk është bërë publik identiteti i viktimave dhe të plagosurve. 
Ndërkohë, shërbimet e ambulancës kanë dërguar për në spitalin rajonal të Elbasanit të plagosurit për të marrë ndihmën mjekësore, nga ku mësohet se gjendja e tyre është e rëndë. 
Nga ana tjetër, viktimat janë dërguar në morgun e qytetit ku do të bëhet i mundur edhe identifikimi i tyre. Policia po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve të këtij aksidenti tragjik. Paraprakisht dyshohet se shkak është parakalimi i gabuar i furgonit një prej automjeteve si dhe lagështia në rrugë. Ndërkaq, drejtuesi i furgonit, 45-vjecari Eduart Shkurti është dërguar me plagë të rënda në spital.
Ende nuk dihet identiteti i viktimave dhe i personave të plagosur, por mësohet se janë pasagjerë të furgonit.