Lajme Shqip Thursday, 17 January 2013 15:44

Prishtinë – Sot janë mbushur 31 vjet nga vrasja nga shërbimet sekrete jugosllave të atdhetarëve Jusuf e Bardhosh Gërvalla si dhe Kadri Zeka, në Shtutgart të Gjermanisë.

Edhe pse vitin që shkoi ishin disa deklarata të disa personave të cilët thonin se i njihnin vrasësit, ende nuk dihet vrasësi, ndërkohë vajza e Jusuf Gërvallës, Donika Gërvalla pat thënë se po vazhdon përpjekjet tek organet gjermane për zbardhjen e vrasjes se tre dëshmorëve, kurse eshtrat e tyre u sollën nga Gjermania në Kosove në vitin 2002.

Jusuf, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, u vranë në rrethana të paqarta më 17 janar 1982, në Gjermani. Ata ishin ndër veprimtaret më të shquar të çështjes shqiptare dhe për shkak të përndjekjes nga regjimi jugosllav, kishin emigruar në Gjermani dhe Zvicër, transmeton rtv21. Të dekoruar nga Ibrahim Rugova me Urdhrin e Artë “Hero i Kosovës”, ata cilësohen si “dëshmorë të lirisë e të pavarësisë së Kosovës”.

Jusuf Gërvalla ka qenë jo vetëm luftëtar i madh për çështjen e pavarësisë së Kosovës, por dhe një figure poliedrike e shquar, si poet, shkrimtar, përkthyes, gazetar, këngëtar. Botues i gazetave “Lajmëtari i Lirisë” dhe “Zëri i Kosovës’, autor i 3 vëllimeve poetike dhe i një romani, intelektual i kompletuar, Gërvalla zë një vend nderi në kulturën shqiptare.

Edhe vëllai i tij, Bardhoshi, ishte veprimtar për pavarësinë e Kosovës, poliglot- njohës i 6 gjuhëve të huaja.

Kadri Zeka gjithashtu u aktivizua në lëvizjen ilegale të Kosovës për çlirim dhe pavarësi dhe bëri emër edhe si gazetar, duke botuar gazetën “Liria” dhe përmbledhjen poetike “Këngët e lirisë”..

Në vitin që shkoi në shtëpinë e Jusuf dhe Bardhosh Gërvalles u vu guri themeltar i shtëpisë-muze të vëllezërve Gërvalla.(LajmeShqip.com)