Lajme Shqip Tuesday, 22 September 2015 10:43

Lideri i Listës Serbe, Aleksandar Jabllanoviq, ka deklaruar se ka biseduar me përfaqësuesit e kësaj liste, të cilët kanë kërkuar që ai të japë dorëheqje nga të gjitha pozitat e tij, duke pranuar se ata i kanë kërkuar falje dhe i kanë shpjeguar se për shkak të presionit nga Beogradi dhe Prishtina, janë detyruar të nënshkruajnë kërkesën, raporton televizioni “Most”.

 “Ata më kanë telefonuar për të më kërkuar falje, dhe më kanë shpjeguar se për shkak të presionit që po e vuajnë nga zyra për Kosovë dhe nga zëvendëskryeministri Branimir Stojanoviq, janë detyruar të nënshkruajnë diçka për të cilën nuk mendojnë ashtu. Në anën tjetër paradoksi më i madh është se e gjithë kjo është orkestruar nga njerëzit tanë të cilët i kemi vënë në qeverinë e Kosovës, që tregon qartë sa analfabetë janë”, ka deklaruar Jabllanoviq, transmeton lajmi.net.

Duke iu referuar pretendimeve se kinse pa u konsultuar me anëtarët e tjerë të Listës Serbe dhe me qeverinë e Serbisë ka negociuar një koalicion me shqiptarët, Jabllanoviq ka thënë se marrëveshjen për tu futur në qeverinë e Kosovës e kishte nënshkruar vetëm atëherë kur qeveria e Serbisë e kishte miratuar, duke shtuar se kjo marrëveshje asnjëherë nuk ka ndryshuar.