Lajme Shqip Sunday, 20 September 2015 11:31

Asnjë lëvizje pozitive nga institucionet e Republikës së Kosovës, nuk është bërë deri më tani sa i përket pakënaqësive të banorët e trifshatrave të komunës së Pejës, të Gllaviçicës, Leshanit dhe Ramunit, për shkak të vështirësive që po ua shkaktojnë gurthyesit dhe separacioneve tëzhavorrit të përqendruara në këtë pjesë.

Zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, kanë konfirmuar për Kosova Info se është pranuar Ankesa e banorëve të fshatit Gllaviçicë komuna e Pejës, përderisa sipas tyre atyre edhe ju është dërguar përgjigja nga inspektorati, përderisa këta zyrtarë nuk kanë bërë të ditur, se cila është përgjigjja e inspektoratit për banorët e këtyre fshatrave.

Por sa operatorë operojnë gjithsejtë në tërë Kosovës, Bashkim Bekolli, këshilltar Politik dhe zëdhënës i MMPH-së, ka deklaruar për Kosova Info se “në Republikën e Kosovës operojnë 140 gurthyes, dhe të gjithë këto janë të pajisura me Pëlqime Mjedisore nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, dhe me Licencë nga Komisioni i Pavarur i Minierave dhe Mineraleve”.

Megjithatë, Bekolli, nuk ka bërë të ditur se sa është numri i gurthyesve të cilët operojnë ilegalisht në tërë territorin e Kosovës, e që bëhet e ditur se numri i tyre është shumë i madh.

Ndërkohë, Kemajl Zeqiri, anëtar i Bordit të Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, ka deklaruar për Kosova Info, se KPMM është në dijeni lidhur me Ankesën e banoreve të fshatit Gllaviqicë.

Sipas tij, pas shqyrtimit të kësaj ankese KPMM, flasim për periudhën 2014, përmes inspektoratit ka dalë në terren dhe ka konstatuar gjendjen, dhe po ashtu, ka vepruar konform dispozitave të përcaktuara në Ligjin për Minierat dhe Mineralet, duke lëshuar gjoba administrative për operuesit ilegal dhe duke njoftuar dhe kërkuar masa konform me dispozitat ligjore nga organet e rendit – Policia e Kosovës.

“Megjithatë duhet theksuar se, nuk qëndron i plotë se në atë lokacion zhvillohen veprime ilegale, pasi që në atë lokacion ka edhe ndërmarrje të cilat janë të licencuara dhe veprojnë në përputhje me dispozitat e ligjit për miniera dhe minerale”, ka thënë për Kosova Info Zeqiri.

Po ashtu, sipas tij, Bordi i ri i KPMM-së ka shqyrtuar këtë ankese edhe në vitin 2015 me një herë pas konstituivit si Bord nga ana e Parlamentit te Republikës se Kosovës.

“Kemi kërkuar nga inspektorati të dilet ne terren dhe te sjelle raportin e detajuar lidhur me shqetësimet e banoreve te fshatit Gllaviqicë për operimet ilegale, dhe të konstatoj se a janë duke u zbatuar urdhëresat e lëshuar me herët nga KPMM. Pas përfundimit të raportit nga ana e Inspektorati, do të konstatohet gjendja dhe konform raportit do të merren masat shtesë në përputhje me dispozitat ligjore”, ka thënë për Zeqiri, duke shtuar se KPMM lëshon lejen në bazë te ligjit 03/L-163 si dhe Ligji Nr. 04/L-158 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-163 për Minierat dhe Mineralet.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, e cila është njëherit me e zëshmja për problemin e banorëve të këtyre fshatrave, ka thënë se është interesuar shumë të dijë nga institucionet përkatëse në lidhje me ndotjen e lumenjve dhe çështjen e gurthyesve në Kosovë.

Me këtë rast, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, i është përgjigjur se institucioni që ai drejton e ka si prioritet kryesor çështjen e lumenjve dhe gurthyesve.

“Atë që unë e kam bërë prej se kam ardhur në ministri është se e kam identifikuar këtë çështje si prioritet të lartë dhe kam kërkuar ngritjen e një komisionin për të analizuar situatën. Kjo çështje nuk mund të adresohet vetëm me një ose dy institucione por duhet të merren që nga politika deri në institucione të ndryshme”, i është përgjigjur ministri Agani, deputetes Gaxherri.

Por, nuk e ka bindur përgjigja e ministrit Agani, deputeten e LDK-së, Besa Gaxherri.

“Pajtohem se kjo çështje është shumë komplekse dhe duhet të kyçen shumë institucione por ne (LDK-ja) këtë çështje e kemi ngritur në shkurt të këtij viti dhe unë prita diçka konkrete që është marrë kjo masë, ose ky veprim apo ndonjë strategji,” ka shtuar Gaxherri, duke shtuar se me këtë shkatërrim lumenjsh nuk mund të hyhet në BE.

“Kosova po pretendon integrime evropiane dhe duhet marrë parasysh se në çfarë gjendje janë lumenjtë dhe çfarë korrupsioni bëhet me gurthyes. Unë kërkoj urgjentisht që të kemi masa konkrete dhe jo strategji sepse kemi ligje”, ka theksuar Gaxherri.

Kohë më parë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinore që drejtohej nga Dardan Gashi, kishte ndaluar eksploatimin e zhavorrit nga shtretërit e lumenjve, por, edhe pas këtij vendimi i cili tashmë nuk është në fuqi, është konstatuar se ky zhavorr eksploatohej.

Në vendimin e ish-ministrit Gashi, që asnjëherë nuk është zbatuar, thuhet se me këtë vendim ndalohet eksploatimi i materialeve inerte nga shtretërit , brigjet dhe hapësirat përreth lumenjve në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Për çështjen e gurëthyesve, eksploatuesve dhe seperacioneve të zhavorrit, banorët e këtyre fshatrave kanë protestuar kohë më parë, duke i shprehur shqetësimet e tyre për shkatërrimin e lumenjve.

Sipas banorëve të këtyre fshatrave, gurëthyesit, eksploatueset dhe seperacionet e zhavorrit, jo vetëm që po i degradojnë lumenjtë dhe tokës, ata nuk i paguajnë shtetit, tatim as TVSh, e as në miniera as asgjë.

Përfaqësuesit e këtyre fshatrave kishin protestuar kundër tetë separacioneve tëzhavorrit dhe gurthyesve që me punën e tyre po ua vështirësojnë jetën.

“Gurthyesit në vazhdimësi punojnë, ja nisin pas mesnatës deri në mëngjes dhe vazhdimisht bëjnë zhurmë dhe bëjnë me pluhur gjithçka çfarë ka në fshatra. Të gjitha këto na kanë pru në këtë pikë që ne të dalim të protestojmë deri në zgjidhjen e këtij problemi madhor për këto fshatra”, kanë thënë përfaqësuesit e fshatarëve, duke shtuar se nga gurthyesit dhe seperacionet e zhavorrit po u rrezikohet uji i pijes, shtrati i lumit Lumbardh është thelluar, dhe njëherit edhe zhurma e tyre po I pengon shumë këta banorë.

Ndërkaq, banorët e këtyre fshatrave kanë deklaruar se që 15 vjet, gurthyesit po e bëjnë të pamundshëm jetën për mbijetesë.

Ata kanë shtuar se janë të tmerruar për tokat e tyre që nuk mundem t’i ujisin, pasi që, sipas tyre lumi ka shkuar deri 5 deri 7 metra thellësi, dhe kjo gjë pamundëson ujitjen e tokave.

Në mbrojtje të të drejtave të fshatarëve ka dal edhe kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, duke theksuar se janë plotësisht të drejta shqetësimet e banorëve të këtyre fshatrave, duke ju premtuar atyre zgjidhje për këto problem, edhe pse sipas tij, gurthyesit dhe separacionet nuk janë kompetencë e komunës që ai udhëheq.

“Kjo çështje është kompetencë e Ministrisë së Planifikimit Hapësinor, e cila duhet të marrë masa. Ministria ka pasur një iniciativë bashkë me komisionin ndërministror për parandalimin e tyre, por ka mbetur kështu nga qeveria e kaluar. Komuna nuk mundet t’i ndalojë ata”, ka theksuar Muhaxheri.

Megjithatë, Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Aganit, i është kërkuar nga të zgjedhurit e popullit që urgjentisht të merret me shqetësimin e këtyre banorëve, përderisa, këta të fundit kanë paralajmëruar prapë protesta. /albeu.com