Lajme Shqip Thursday, 24 September 2015 10:00

Një shkencëtar australian ka fituar çmimin “Ig Nobel” për shpikjen e tij që rikthen vezën në të freskët, pasi është zier.

Profesori i kimisë, Colin Raston nga Universiteti Flinders në Adelajde dhe grupi i tij i punës kanë krijuar pajisjen “Vortex Fluidic”, që shpërbën proteinat, përfshirë ato që i japin strukturën e fortë vezës së zier, transmeton oranews.

Nxehtësia bën që proteinat e mëdha të së bardhës së vezës të lidhen së bashku duke formuar një masë të ngjeshur, për t’i dhënë më pas vezës ngjyrën e bardhë dhe fortësinë.

Pajisja e Rastonit i vendos këto proteina në një tretësirë, nëpërmjet një gypi rrotullues, ku forca e shpërbërjes i nxjerr ato në vijë të drejtë për t’i kthyer në formën e tyre origjinale.

Në këtë proces, veza nuk mund të përdoret e pathyer, me lëvozhgën e saj, apo t’i shtohet kripë e piper, por pajisja gjen një zbatim në rritjen e efektit të ilaçeve për kurimin e kancerit.

Ekspertët thonë se kjo minimizon shpërdorimet gjatë prodhimit të ilaçeve dhe mundëson përdorim të ilaçeve në tumoret në mënyrë më të saktë dhe me më pak ndikim në pjesën tjetër të trupit të pacientit, që do të thotë më pak efekte anësore.