Lajme Shqip Friday, 25 September 2015 11:52

Një artiste e veshur me burka dhe një kitarë elektrike Gibson nuk janë një kombinim i zakonshëm. Mirëpo, pikërisht këtë po përpiqen ta sfidojë një grua myslimane, e cila njëherësh është edhe muzikante profesioniste e zhanrit heavy metal, Gisele Marie.

Me bazë në Sao Paulo, Marie, 42-vjeçare, është mbesa e disa katolikëve nga Gjermania, por ajo u konvertua në myslimane disa muaj pasi i vdiq babai në vitin 2009.

Muzika gjithashtu është një çështje familjare për Marien, e cila është rritur në një shtëpi me instrumente, është trajnuar për piano klasike, si dhe është pjesë e bendit të vëllait të saj, të quajtur “Spectrus” që nga viti 2012, transmeton Koha.net.

Ajo thotë se veshja e burkas është një përkujtim i vazhdueshëm për Allahun dhe kjo e ka bërë atë të reflektojë më shumë në jetën e saj të përditshme.

Ajo gjithashtu e pranon se kur ngjitet në skenë, nxit reagime të përziera te publiku.

 “Njerëzit nuk presin ta shohin një grua myslimane që ka të veshura burka, që praktikon religjionin dhe në të njëjtën kohë të jetë kitariste profesionist në një grup Heavy Metal. Kështu që shumë njerëz habiten nga kjo. Por njerëz të tjerë janë më kureshtarë dhe kjo iu duket interesante, por definitivisht, shumica e njerëzve tronditen”, thotë Marie.

Para se të konvertohej në islam, Marie praktikonte Wicca-n, një religjion modern pagan i artit të magjisë. Ajo thotë se në religjion kërkon pasion për jetën dhe mundësinë për të qenë vetvetja.

Ajo e di që disa myslimanë nuk e pranojnë atë që e bën, por thotë se ka myslimanë që janë të rregullt në koncertet e saj, dhe se ajo nuk sheh asnjë problem që ta përziejë muzikën e saj me religjionin.

“Ka shumë njerëz që bëjnë stile të llojllojshme të muzikës dhe që janë nga religjione të ndryshme, apo që nuk i përkasin asnjë religjioni. Slayer, për shembull është një grup muzikor që bën muzikë me temë satanike, por të gjithë pjesëtarët e grupit e praktikojnë krishterimin. Ku është mospërputhja këtu? Nuk ka farë mospërputhje, por ky është një profesion artistik. Kjo është puna ime, është profesioni im, dhe në të njëjtën kohë unë jam myslimane, dhe nuk mendoj që këto të dyja kanë lidhje me njëra-tjetrën”, shprehet Marie.

Sipas Maries, grupi i saj është një shembull i tolerancës fetare dhe thotë se ata janë të fokusuar në tema pozitive në muzikën që e bëjnë.

“Temat në muzikën time janë gjithmonë konstruktive dhe pozitive. Ato mund të kenë disa kritika rreth mënyrës së jetesës në ditët e sotme, por synimi im është që gjithmonë të jem konstruktive, dhe të jep ndonjë mesazh pozitiv apo ide pozitive. Në këtë rrugë punon bendi im këto ditë”, thotë kitaristja.

Reagimet e përziera vazhdojnë edhe jashtë skenës gjithashtu, transmeton Koha.net. Marie thotë se në një rast një person në rrugë ishte përpjekur t’ia hiqte burkën, duke e detyruar atë ta thërriste policinë.

Mirëpo ajo gjithashtu thotë se shpesh i ndodh që kur të dalë nga shtëpia, dikush ta ndalojë për të biseduar me të, ose për të bërë fotografi në mënyrë krejtësisht paqësore.