Lajme Shqip Monday, 31 August 2015 09:24

Zyrtarë të një qyteti japonez kanë thënë se instruksionet e vendosura në tualete publike kanë zvogëluar në masë të madhe tollovitë e shkaktuara nga turistët e hutuar.

Zyrtarë të Kyotos kanë thënë se shenjat, që udhëzojnë turistët mbi përdorimin e duhur të tualeteve të stilit japonez si edhe tualeteve Perëndimore, janë vendosur nëpër tualete publike si pasojë e problemeve të mëdha sanitare që iu atribuoheshin turistëve për shkak se nuk dinin t’i përdornin ato.

“Kemi pasur numër të shtuar të vizitorëve të jashtëm që përdornin gabimisht tualetet bazuar në normat e kulturave të tyre”, ka thënë zyrtari sanitar i Kyotos, Chikashi Ono për “The Japan Times”, transmeton Koha.net. “Shpresojmë që këto udhëzime u ndihmojnë njerëzve që të kuptojnë mënyrën e duhur të përdorimit të tualeteve në Japoni”.

Shenjat, që përmbajnë tekste në japonisht, anglisht, kinezisht dhe koreanisht, ofrojnë këshilla rreth qëndrimit të duhur gjatë përdorimit të tualetit si dhe për mënyrën e duhur të hedhjes së letrës së përdorur të tualetit.

Ono tha se qyteti ka vënë re një ulje në numrin e incidenteve nëpër tualete publike që nga vendosja e shenjave.