Lajme Shqip Monday, 28 September 2015 15:54

“Papritur dy makina xhip policie erdhën me shpejtësi drejt nesh dhe frenuan ashpërsisht. Na trajtuan sikur ne ishim vrasës dhe kishin kohë që po kërkonin për ne. Na drejtuan armët dhe bërtitën ” duart lart! “. U thashë ” ju lutem, ne sapo iu shmangëm luftës. Nuk jemi kriminelë”. Ata thanë ”qepe malaka!”. Kurrë nuk do ta harroj këtë fjalë ”malaka malaka malaka”.

 Kështu e kujton historinë refugjati sirian në rrugëtimin e tij drejt Europës në faqen Humans of New York, e cila ndiqet nga miliona njerëz dhe po bën xhiron e botës dhe mund të themi se pjesa kur flet për policin shqiptar tregon që pavarësisht imazhit të keq që mund të kemi në botë kjo gjë sado pak do ta ndryshojë.

Më poshtë është historia e Muhammad:

“Ishulli në të cilin zbritëm quhej Samothrace. Ishim shumë mirënjohës që mbërritëm aty. Menduam që ishim të sigurt. Filluam të ecnim drejt rajonit të policisë për tu regjistruar si refugjatë. Madje edhe i kërkuam një njeriu në rrugë të thërriste policinë për ne. U thashë refugjatëve të tjerë që të më lejonin mua të flisja përderisa flisja gjuhën angleze.

“Papritur dy makina xhip policie erdhën me shpejtësi drejt nesh dhe frenuan ashpërsisht. Na trajtuan sikur ne ishim vrasës dhe kishin kohë që po kërkonin për ne. Na drejtuan armët dhe bërtitën ”duart lart! “U thashë ” ju lutem, ne sapo iu shmangëm luftës. Nuk jemi kriminelë”. Ata thanë ” qepe malaka !”. Kurrë nuk do ta harroj këtë fjalë “malaka malaka malaka”.

Vetëm ashtu na thërrisnin. Na futën në burg; i kishim rrobat e lagura dhe dridheshim gjithë kohës. Nuk na zinte gjumi. Akoma e ndjej të ftohtin deri në palcë.

Për 3 ditë nuk kishim as bukë, as ujë. I thashë policit ” nuk kemi nevojë për bukë, por të paktën na jep ujë, të lutem” .

Iu luta komandantit që të na jepte ujë. Përsëri u përgjigj ” qepe malaka !”. Kurrë nuk do e harroj fytyrën e atij personi. Mes dhëmbëve të tij kishte një hapësirë dhe sa herë që fliste, na pështynte.

Ai zgjodhi të shikonte 7 njerëz të vuanin nga etja për 3 ditë të tëra kur ne po i përgjëroheshim për ujë. Ne shpëtuam vetëm kur ata na vendosën në një anije dhe na dërguan drejt një kampi. Për 12 ditë ne qëndruam aty deri sa u nisëm për të ecur drejt veriut . Ecëm për 3 javë. Haja vetëm gjethe dhe asgjë më shumë, si kafshë. Pimë ujë nga ujërat e pista të lumenjve. Këmbët më ishin fryrë aq shumë saqë mu desh të hiqja këpucët. Kur arritëm në kufi, një polic shqiptar na gjeti dhe na pyeti nëse ishim refugjatë.

Kur i treguam që po , ai tha se do na ndihmonte. Na tha të fshiheshim në pyll deri sa të errësohej.

Nuk i zija besë këtij njeriu por nuk kisha fuqi të vrapoja. Kur u errësua, na futi të gjithëve në makinën e tij dhe na çoi në shtëpinë e tij dhe na la të qëndronim aty për një javë.

Na bleu rroba të reja. Na ushqeu çdo natë. Më tha “mos ki turp. Edhe unë kam përjetuar luftën. Tani, ti je familja ime dhe shtëpia ime është gjithashtu e jotja”.

Pas kësaj ngjarje ai arriti në Austri ku me ndihmën e një burri të quajtur Fritz Hummel arriti ta mësojë gjuhën dhe të bëhet pjesë e komunitetit austriak dhe pas gjashtë muajve mori edhe pasaportën.