Lajme Shqip Friday, 28 August 2015 15:54

Trafiku i internetit në mobil në të gjithë botën është rritur 15 për qind në baza tremujore dhe 55 përqind nga viti në vit në tremujorin e dytë, thuhet sipas raportit të fundit nga Ericsson.

Ericsson thotë se tani ka më shumë se 3 miliard përdorues të internetit në mobil në botë, një rritje prej 140 milionë përdoruesve në tre muaj, që përfundojnë në qershor.

Rritja në internetin në mobil u mbështet nga rrjetet 3G dhe 4G/LTE dhe pajisja me telefona të mençur mobil.

Numri i përdoruesve të 4G / LTE u rrit me 115 milionë apo në rreth 740 milionë në total, ndërsa numri i përdoruesve që përdorin vetëm shërbimet bazë të telefonisë mobile ka rënë për 80 milionë në TM2.

Telefonat e mençur mobil në ndërkohë thuhet se përbëjnë 75 për qind të të gjithë telefonave të shitur, nga 65 për qind sa ishin në TM2 2014.

Në total, Ericsson përllogarit se tani ka rreth 7.2 miliardë abonime në telefoninë mobile në botë, që nënkupton depërtim të telefonisë mobile tek 99 për qind e njerëzve.