Lajme Shqip Monday, 21 September 2015 10:23

Tek mbush thasët me qymyr, papritmas shfaqet fqinji i tij rom, që pa hezitim kap lopatën për t’i ndihmuar. Ish-punëtori i ndërmarrjes “Metalac”, Avni Bikliqi, që ka mbaruar fakultetin e inxhinierisë as që i shkon ndërmend se çfarë etnie kanë fqinjët e tij, tek me ta bisedon, shoqërohet apo i thërret për ndihmë.

Fshati i qetë, që aktualisht ka rreth 2200 banorë, është ndër vendet më të përziera në Kosovë. Aty sipas regjistrimit të fundit civil jetojnë 250 kroatë, 190 turq, 250 romë dhe rreth 1600 shqiptarë.

E veçanta e fshatit nuk është vetëm respekti nacional që i bëjnë njëri-tjetrit. Por, aty, ka edhe shqiptarë të dy religjioneve – myslimanë dhe të krishterë.

Kur futesh në kafenenë “Saraj”, në kënd të rrugës, nuk mund ta dallosh kush cilit nacionalitet i takon.

“Këtu shoqërohemi dhe rrimë së bashku. Nuk e kemi asnjë problem nacional asnjëherë. Kemi një problem të përbashkët – papunësinë dhe varfërinë”, thotë Igor Antic, rreth të pesëdhjetave nga komuniteti kroat. /Zeri