Lajme Shqip Sunday, 27 September 2015 10:17

Nuk është e sigurt nëse Kompania e Ujësjellësit Rajonal “ Prishtina”, do të arrij të bëj kthimin e kredisë ndaj Bankës Gjermane për Zhvillim, i cili do të duhet të fillojë këtë fundvit, kjo pasi që këtë kompani e ka kapluar gjendja jo e mirë financiare. Mirëpo kjo nuk ka penguar këtë ndërmarrje publike që të ketë numër të madh të punëtorëve, të cilët prekin shifrën e 500 personave e me rroga mesatare prej 700 eurosh.

Se KUR “Prishtina” nuk është në gjendje të mirë financiare e thanë drejtuesit e saj në një konferencë për medie, sipas së cilëve ligji për faljen e borxheve, i cili ka hyrë në fuqi me 3 shtator, pritet t’i sjellë kompanisë së paku 10 milion të hyra shtesë për tre vitet e ardhshme, e cila do të përmirësoj dukshëm stabilitetin dhe qëndrueshmërinë financiare të kompanisë.

Ushtruesi i Detyrës së kryeshefit ekzekutiv, në këtë kompani, tha se treguesit kryesor operativ dhe financiar për 6 mujorin e parë të kësaj kompanie janë negativ. Sipas tij, kjo nuk garanton qëndrueshmërinë financiare të kompanisë për kthimin e kredisë ndaj Bankës Gjermane për Zhvillim.

“Performanca operative dhe financiare e ujësjellësit për 6 mujorin e parë, tregon se të gjithë treguesit kryesor operativ dhe financiar të ujësjellësit për 6 mujorin e parë të kompanisë janë negativ. Kjo është shqetësuese sidomos për faktin që na pret se ne në këtë fundvit fillojmë kthimin e kredisë dhe kjo performancë nuk garanton se ne kemi qëndrueshmëri financiare në bazë të këtyre treguesve për të kthyer me sukses kredinë e akorduar nga banka gjermane për zhvillim”, tha Retkoceri.

Ai po ashtu foli edhe për problemet me të cilat po ballafaqohet ndërtimi i Fabrikës së Ujit në Shkabaj. “Pjesa e transportit të gypave transportues prej burimit në Mihaliq deri në fabrikën e ujit në Shkabaj ka filluar dhe po shkon sipas dinamikës së paraparë. Është një problem rreth cilësisë së gypave, dëmtimeve të gypave të cilat janë bërë gjatë transportit, por si duket ai problem do të rregullohet…problemi është te fabrika, është bërë një gropë e madhe në Shkabaj. Po presim dizajnin e projektit, si duket kompanitë vendore të autorizuara që e kanë fituar tenderin për të projektuar dhe bërë dizajnin e projektit të fabrikës nuk po janë në gjendje ta bëjnë a të në kohë dhe në cilësi. Sigurisht edhe zotimi i Strafbak i Austrisë është që të do të punojë edhe në tri turne dhe fabrika do të prodhojë sasitë e para të ujit në shtatorin e vitit 2016”, shtoi Retkoceri.

Sipas zyrtarëve të kësaj kompanie, problem tjetër i kompanisë është edhe numri i madh i punëtorëve, i cili e kalon shifrën prej 500 punëtorëve dhe rrogat mesatare, e cila kap shifrën prej 700 eurove, kanë bërë që të ketë ngecje në këtë kompani, sepse është mbi mesataren e kompanive publike në vend.