Lajme Shqip Sunday, 26 July 2015 13:00

Tre kompani të huaja, mes të cilave gjiganti shumëkombësh “Shell”, i kanë kërkuar qeverisë shqiptare të drejtën e kërkimit për naftë në “Bllokun 4” dhe atë të Dumresë. Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore i ka përcjellë Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë ofertat zyrtare për të dy blloqet.

Burimet i thanë Top Channel se, për “Bllokun 4”, i cili shtrihet në zonën juglindore të vendit, veç gjigantit “Shell” garon edhe kompania “Interlend Investment”. Ndërsa për bllokun e Dumresë, veç këtyre dy kompanive ka dorëzuar ofertën edhe një tjetër emër i njohur, izraelitja “Navitas”, pjesë e grupit “Delek”.

Top Channel ka mësuar se, Agjencia e Burimeve Natyrore ka kryer sakaq edhe vlerësimin teknik të ofertave. Por, përpara shpalljes së fituesit, ky vlerësim duhet të miratohet nga Ministria e Energjisë. Pasi kjo e fundit të ketë dhënë pëlqimin, përfaqësuesit e AKBN-së fillojnë negociatat me subjektin e përzgjedhur fitues për “Termat dhe Kushtet kryesore” të Marrëveshjes Hidrokarbure.

Për blloqet e tjera, atë të Panajasë, “Bllokun C” dhe Delvinën, dorëzimi i ofertave do të shtyhet për në vjeshtë, pasi disa kompani të mëdha kanë kërkuar më shumë kohë. Përmes riaktivizimit të kërkimeve hidrokarbure, Qeveria shpreson të tërheqë kapital nga jashtë për të ndihmuar ekonominë, edhe pse industria e naftës gjendet në një moment të vështirë nga rënia e çmimeve.

Megjithatë, përtej konjukturës së rënduar globale, hidrokarburet mbeten një nga sektorët, që vazhdojnë të thithin pjesën më të madhe të investimeve nga jashtë dhe që mbajnë peshën kryesore në eksportet kombëtare.

Dy nga kompanitë, që kanë paraqitur ofertat; si “Shell”, ashtu dhe izraelitja “Navitas”; janë ndër emrat më të njohur në botë për këtë fushë. Prestigjiozja “Shell” është një ndër 7 kompanitë më të mëdha të botës në fushën e kërkimit të naftës dhe gazit, me operacione në 90 vende të ndryshme, përfshirë edhe Shqipërinë, ku aktualisht është në fazë kërkimi së bashku me “Petromanas” në zonën e Shpiragut.

Ndërsa “Navitas” është e përqëndruar kryesisht në zonën e Mesdheut dhe ka një vlerë tregu mbi 5 miliardë dollarë.