Lajme Shqip Saturday, 26 September 2015 10:24

Vetëm për pesë muajt e parë të këtij viti, investimet e huaja në Kosovë kanë arritur vlerën deri në 158 milionë euro, përderisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ato kanë qenë 29 milionë euro. Por, sipas të dhënave zyrtare, patundshmëria, qiradhënia dhe aktivitete tjera biznesore vlerësohen si sektorët me vlerën më të madhe të investimeve.

Besian Mustafa, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), që funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ka thënë për “Zërin” se 82.5 milionë euro është vlera e investimeve të huaja në sektorin e patundshmërisë, qiradhënies dhe aktiviteteve tjera biznesore, duke u pasuar nga shërbimet financiare më 37.8 milionë euro, ndërsa sektori me më pak investime mbetet ai i bujqësisë me 0,3 për qind.

Ai thotë se nga 211 kompani të reja të huaja, të regjistruara gjatë këtyre muajve, 63 kopani janë biznese tregtare, ndërsa shteti me vlerën më të madhe të investimeve, sipas tij, është Zvicra me 34.4 milionë euro.

“Nga 211 ndërmarrje të regjistruara të huaj gjatë këtij viti, 63 prej tyre janë biznese tregtare, 50 në procesim, 44 në veprimtari shërbyese, 14 në sektorin financiar, 11 në ndërtim, 9 hoteleri dhe turizëm, 8 në telekomunikacion, 8 në transport dhe katër kompani në shëndetësi. Vendet, që të cilat tashmë kanë hapur bizneset në Kosovë, është Shqipëria me 42 kompani ku vlera e investime është 13.4 milionë euro, Turqia me 29 kompani vlera e investimeve 23.2 milionë euro, Zvicra me 21 me vlerën e investimeve 34.4 milionë euro, Gjermania me 13 kompani dhe me vlerën e investimeve 20.5 milionë euro, Italia dhe Maqedonia me 11 kompani. Ndërsa, SHBA-ja me 9.7 milionë euro, Mbretëria e Bashkuar me 21.1 milionë euro dhe Sllovenia me 2.3 milionë euro”, ka thënë ai.

Mustafa thotë se gjatë kësaj periudhe është duke u shfaqur një interesim më i madh i vendeve të huaja për të investuar në Kosovë. “Nëse bazohemi në të dhënat e Agjencisë për Regjistrim të Biznesit (ARBK) mund të themi se kemi interesim më të madh të bizneseve me pronarë të huaj për t’u regjistruar në Kosovë krahasuar me vitin paraprak. Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) mbetet e përkushtuar në mbështetje të investitorëve, duke i ofruar ndihmë në grumbullimin e informatave lidhur me fushën e investimeve që ata synojnë për të investuar në Kosovë, në procedurat e regjistrimit të biznesit, informata për legjislacionet që kanë të bëjnë me IHD-në (FDI), informata specifike makroekonomike, si dhe shërbime tjera të nevojshme për realizimin e investimit të tyre”, ka thënë ai. Në anën tjetër ekspertë të ekonomisë konsiderojnë se investimet e huaja janë të nevojshme në çdo sektor. Naim Gashi, ekspert i ekonomisë, ka thënë se edhe pse ka një trend të rritjes së investimeve vlera e investimeve është e pamjaftueshme për zhvillim ekonomik.

“Askush në Kosovë nuk mund të jetë i kënaqur me vlerën e investimeve të jashtme, edhe pse kemi një trend rritjeje. Kriza politike që e kishte kapluar vendin në vitin 2014 ka lënë pasoja edhe në fushën e investimeve të jashtme, pasi që çdo paqartësi politike dërgon mesazhe negative tek investitorët e jashtëm. Politikat për inkurajimin e investimeve të jashtme duhet të jenë afatgjata dhe aty duhet të përfshihen të gjithë mekanizmat shtetërorë, pushteti lokal, agjencitë e pavarura dhe shoqëria në përgjithësi”, ka thënë ai.