Lajme Shqip Friday, 24 July 2015 15:44

Ministria e Bujqësisë konstaton rritje të eksporteve bujqësore drejt tregjeve rajonale dhe atyre europiane. Rritje është shënuar për eksportet e frutave dhe perimeve, si dhe vezëve, ku për herë të parë po eksportohet drejt Bashkimit Europian.

Shqipëria ka rritur eksportet bujqësore drejt tregjeve rajonale dhe atyre europiane, kryesisht për frutat dhe perimet.

Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, në disa qarqe të vendit prodhimi bujqësor është rritur ndjeshëm.

Kështu, në qarkun e Beratit sipas të dhënave zyrtare vëllimi total i eksporteve bujqesore në fund te këtij gjashtemujori ishte 21.703 ton produkt, krahasuar me10 455 ton të para një viti.

Në Lushnje nëpër dogana kanë kaluar për eksport 36 023 ton prodhime bujqesore, në krahasim me 18 909 ton të një viti më parë.

Rritje ka edhe në prodhimin e vezëve dhe të qumështit. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, për herë të parë eksportohen vezë te freskëta në Bashkimin Europian, pas çertifikimit ISO të disa prodhuesve shqiptarë.

Deri tani jane eskportuar në Gjermani 10 milion kokrra vezë dhe deri në fund të viti parashihet që eksporti të rritet deri në 60 milion kokrra.

Por pavarësisht rritjes së prodhimit bujqësor dhe eksporteve, shqiptarët vazhdojnë të importojnë pjesën dërrmuese të ushqimeve që konsumojnë.

Sipas të dhënave zyrtare, raporti eksport- import për prodhimet bujqësore është 1 me 7.

E thënë ndryshe, për çdo produkt që eksportojmë, importojmë 7 të tjerë./oranews/