Lajme Shqip Monday, 28 January 2013 16:00

Washington – Diaspora shqiptaro – amerikane në Nju Jork e prirur nga Shoqata Preshevë, Medvegjë, Bujanoc organizon sot një protestë mbarëkombëtare kundër heqjes së lapidarit të UÇPMB-së dhe shkeljes së të drejtave të shqiptarëve në Preshevë.

Protesta mbahet sot duke filluar nga ora 11.00 , para selisë së Kombeve të Bashkuara në New York.

Organizatorët theksuan se do të përgaditet një Memorandum special lidhur me gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe represionin serb në këtë trevë, i cili do të drejtohet Kombeve të Bashkuara dhe administratës amerikane në Uashington, informon korrespodenti i agjencisë INA nga Nju Jorku.

Diaspora shqiptaro – amerikane ka paralajmëruar agjendën e protestave dhe marshit protestues para OKB-së, misionit diplomatik të Serbisë në Nju Jork si dhe protesta sensibilizuese në Uashington.

Protesta organizohet kundër represionit serb, pas aksionit të xhandarmërisë serbe, e cila largoi me dhunë lapidarin e dëshmorëve  të UÇPMB-së nga qendra e Preshevës në shenjë kërcënimi dhe vërgëllimi të armëve të policisë dhe xhandarmarisë serbe.

Kryetari i kësaj nisme, veprimtari Shaban Mehmeti në një konferencë me gazetarët informoi mbi agjendën e protestave dhe reagimeve që dënojnë veprimin represiv të autoriteteve të Serbisë ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Sipas tij, në këtë takim janë mbështetur deklaratat zyrtare të Tiranës dhe Prishtinës për dënimin e aktit vandal të serbëve. Në deklaratë gjithashtu u theksua formimi i grupit të punës që do të merret me sensibilizimin e çështjes së shqiptarëve të Luginës. (B.Sina/INA/LajmeShqip.com)