Lajme Shqip Friday, 28 August 2015 16:46

Ministria e Brendshme e Austrisë ka bërë të ditur se 71 trupa, që besohet se u përkasin migrantëve, kanë qenë në një kamion të braktisur, i cili është gjetur të enjten në një autostradë, pranë kufirit me Hungarinë.

Në një konferencë për media në Vjenë, Hans Peter Doskozil, shef i policisë së rajonit Burgendland, ku është gjetur kamioni, ka bërë me dije se në mesin e viktimave janë 59 burra, tetë gra dhe katër fëmijë.

Viktima më e re është një vajzë 2-vjeçare.

Ata, po ashtu, kanë thënë se tre persona janë arrestuar në lidhje me tragjedinë.

Ministrja e Bendshme e Austrisë, Johanna Mikl-Leitner, ka thënë se pronai i kamionit dyshohet se ka shtetësi bullgari dhe është me prejardhje nga Libani.

Ekipet mjekoligjore kanë thënë se viktimat, me gjasë, kanë qenë të vdekura kur kamioni ka hyrë nga Hungaria në Austri, por nuk është e qartë se si kanë vdekur.

Forcat policore të Austrisë dhe të Hungarisë janë duke punuar së bashkur për të gjetur shoferin e kamionit.

Kamioni me viktima mban logon e një kompanie sllovake të pulave Hyza.

Kjo e fundit ka thënë përmes një deklarate se automjeti nuk i përket më firmës, porse pronarët e rinj nuk e kanë hequr logon.

Dhjetëra-mijëra migrantë nga konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Afrikë kanë bërë përpjekje të arrijnë Evropën gjatë muajve të fundit.

Një numër rekord prej 107,500 migrantësh kanë kaluar kufijtë e Bashkimit Evropian, muajin e fundit.

Shumica e tyre paguajnë shumë të mëdha për njerëzit kontrabandues që ua kalojnë në mënyrë të paligjshme kufijtë.

Shumë migrantë vazhdojnë të vdesin edhe gjatë përpjekjeve për të arritur Evropën përmes Detit Mesdhe.

Qindra njerëz dyshohet se kanë vdekur pasi dy anije me afro 500 migrnatë brenda, janë mbytur në brigjet e Linisë të enjten.