Lajme Shqip Wednesday, 29 July 2015 13:42

Serbia po vuan pasojat e ngritjes së murit hungarez në kufirin mes dy vendeve.

Tashmë të gjithë emigrantët e ardhur nga afrika dhe lindja e mesme kanë mbetur të bllokuar në Serbi, me shpresën se do të hyjnë në tokën hungareze për të kaluar më pas në vendet e Europës Perëndimore.

Fluski është shumë i madh teksa autoritet kanë improvizuar kampe strehimi në ndërtesa të braktisuara apo fabrika jofunksionale.

Në afërsi të Suboticës në veri të Serbisë, një fabrikë e braktisur tullash është shndërruar në një strehë të improvizuar për qindra emigrantë të stërmunduar nga rruga raskapitëse nëpërmjet Ballkanit, e cila kalon përmes Turqisë, Greqisë dhe Maqedonisë.

Edhe pse mjetet bazike të jetesës janë në minumin e mundshëm në kampin e improvizuar, emigrantët kanë shpresë së do të arrijnë të hyjnë në Hungari, përpara se të udhëtojnë për në Europën Perëndimore.

” Jam i sigurt që do të hyj në tokën hungareze e më pas në Austri dhe Gjermani, sepse dua të shkoj në universitet e më pas të punoj. Dua një të ardhme më të mirë për veten time ” tha një emigrant nga Siria, i cili kërkoi të mbetej anonim.

Sipas autoriteteve serbe, deri më tani janë rregjistruar 61.000 emigrantë të paligjshëm, të cilët kanë kaluar tranzit në Serbi, ndërkohë që Hungaria tashmë ka filluar ngritjen e një pengese në kufirin e saj me Serbinë, për të frenuar valën e paligjshme të emigrantëve që kërkojnë të hyjnë në tokën hungareze.