Lajme Shqip Sunday, 27 January 2013 15:43

PRISHTINE – Një organizatë serbe, “Srpski Narodni Pokret”, ka dërguar të shtunën fotografi të Ramush Haradinajt, në adresë të mediave, të bëra gjatë vitit 2000 menjëherë pas përleshjes së tij me trupat ruse të stacionuara në Kosovë.

Në fotot e publikuara shihet një ushtar rus duke e shoqëruar Haradinajn me duar të lidhura, ndërsa në tjetrën disa persona të shtrirë në asfalt dhe ushtarët rusë me fytyra të mbuluara.

“Komunikata” i është dërguar edhe Kryeministrit të Serbisë Ivica Dacic, të cilit kjo organizatë i bën me dije se si “negociohet me terroristët”.

Aty jepet edhe versioni i kësaj ngjarje ku thuhet gabimisht se gjithçka ka ndodhur në Mushtishtë afër Suharekës. Siç dihet përplasja ka ndodhur në magjistralen Prishtinë-Pejë në afërsi të Klinës.

“Njësia ruse pjesë e KFOR-it kishte ndalë një veturë me terroristë të armatosur në mesin e të cilëve ishte edhe Haradinaj. Pasi që shumë shpejtë janë mposhtur dhe çarmatosur Haradinaj i ka thënë parashutistit rus se është xhudist dhe se do të bisedonin ndryshe po të mos ishte ai armatosur”,- thuhet në njoftimin e kësaj organizate nacionaliste serbe.

Kjo organizatë tashmë i ka nxjerrë në shitje këto fotografi. (LajmeShqip.com)