Lajme Shqip Wednesday, 23 September 2015 13:55

“Angela Merkel është përgjegjëse për krizën e refugjatëve në Europë,” ka deklaruar presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç.

Me një gjuhë jashtëzakonisht të ashpër dhe tipike diplomatike, ajo e ka akuzuar Merkelin se është duke shkaktuar ‘kaos’.

“Zonja Merkel i ftoi ata dhe tani është duke u tërhequr, duke thënë se Gjermania nuk mund të pranojë një numër të madh emigrantësh ekonomikë,” tha ajo për një televizion kroat.

“Ajo bën sikur nuk ishte në dijeni se një gjë e tillë mund të shkaktojë kaos,” tha ajo.

Kroacia është përballur me një fluks të madh refugjatësh, pasi Hungaria e mbylli kufirin me Serbinë dhe Kroacinë në javën e kaluar, transmeton Gazeta Blic. Në muajin gusht, kur shumica e vendeve të BE-së dolën kundër pranimit të refugjatëve, Merkel hapi dyert për ta duke thënë se Gjermania do të pranojë azilkërkuesit sirianë, mëgjithatë një numër i madh i refugjatëve detyroi Gjermaninë të rivendosë kontrollën kufitare.

Ndërkaq, Kroacia ka dhënë mesazhe të përziera mbi refugjatët.

Kur Hungaria mbylli kufirin e saj me gardh me tela, kryeministri kroat Zoran Milanović u zotua se do të lejojë refugjatët të kalojnë nëpër vendin e tij.

Por, një ditë më vonë, Kroacia vendosi të mbyllë kufirin duke arsyetur se numri i refugjatëve ishte tejkaluar.

Megjithatë, Milanović ka deklaruar se dëshiron të hapë një korridor përmes të cilit mund të kalojnë refugjatet, por Grabar-Kitaroviç duket se ka marrë një qëndrim më të ashpër në lidhje me refugjatët sirianë.

Ajo është duke ndjekur gjurmët e kryeministrit hungarez, Viktor Obran, i cili fajësoi Gjermaninë për krizën e refugjatëve.