Lajme Shqip Thursday, 24 September 2015 14:32

 “Kanë qenë zgjedhje të pikëlluara”, ka komentuar ekonomisti kontrovers Janis Varoufakis, ish-ministër i financave greke, pasi që Alexis Tsipras dhe partia e tij Syriza kanë arritur të mbajnë pushtetin në Greqi

Gjatë një interviste dhënë të përditshmes “Politico”, Varoufakis, ka deklaruar se nuk dëshiron të zvogëlojë suksesin e ish-shefit të tij, por ka vënë në dukje se Syriza që nga janari ka humbur 363 mijë vota, derisa një pjesë e madhe e njerëzve nuk kanë dalë farë në zgjedhje: madje edhe ata 1.6 milion grekë që kanë votuar në referendumin kundër masave shtrënguese, këtë vikend kanë qëndruar nëpër shtëpitë e tyre, transmeton lajmi.net.

Ndërkaq i pyetur nga gazetari i “Politico” se si e sheh Greqinë pas pesë viteve, Varoufakis ka dhënë një përgjigje shumë pesimiste.

“Nëse asgjë nuk ndryshon, do të jemi të zhytur edhe më thellë në vrimën e zezë. Nëse vazhdojmë të jemi në përputhje me dispozitat e marrëveshje së dakorduara për ndihmë, do të ndodhë Kosovizimi i Greqisë. Me këtë dua të them se gjithnjë e më shumë do të shndërrohemi në protektorat që e ka euron – si Kosova – por se eksporti ynë i vetëm do të jenë njerëzit dhe turizmi, me zero investime në veprimtari prodhuese, me banka që do të funksionojnë si thesar, e jo si institucione të kreditimit”, ka shtuar Varoufakis.