Lajme Shqip Monday, 31 August 2015 14:06

Trupat e NATO-s dhe Ukraina tashme kanë filluar stërvitjet e përbashkëta ushtarake detare, në Detin e Zi. Gjithsej në këtë aksion po marrin pjesë 2500 ushtarë dhe 150 automjete ushtarake.

Sipas “USA TODAY”, në stërvitjen e quajtur “ Flladi i Detit 2015”, Ukraina po stërvitet me 1000 trupa, nëntë luftanije dhe tetë aeroplanë, ndërsa SHBA-ja me 1000 trupa, pesë luftanije, dy nëndetëse dhe gjashtë avionë.

Ndërkaq Bullgaria, Gjermania, Greqia, Italia, Rumania, Turqia si dhe dy vende tjera të cilat nuk janë pjesë e NATO-së,Moldavia dhe Suedia, përbëjnë pjesën tjetër prej 500 trupave.

“Është parashikuar se këto ushtrime forcojnë besimin dhe sigurinë në rajon, si dhe pajtueshmërinë ndërmjet marinës ukrainase, SHBA-së dhe vendeve tjera partnere të NATO-së” thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës, transmeton Koha.net.

Këto ushtrime po mbahen në qytetet ukrainase të Odesës dhe Nikolajevskës, të cilat ndodhen në afërsi të Krimesë , e cila u aneksua nga Rusia vitin e kaluar.

Ukraina në vitin 2015 do të realizojë gjithsejtë 11 stërvitje së bashku me forcat e NATO-së.