Lajme Shqip Friday, 24 July 2015 17:40

Sipas revistës Spiegel, në shtator do të vendoset për të miratuar një ligj të ri për emigracionin në Gjermani.

 Sepse, deri më tani ka pasur shumë rregullore për emigrantët, e jo edhe një ligj të duhur.

Më herët ishte Sekretari i Përgjithshëm i CDU, Peter Tauber, që kishte sinjalizuar diçka të tillë, por kishte hasur në kundërshtimin e ashpër të ministrit të Brendshëm, Thomas de Maiziere. Sipas Spiegelit, tashti kancelarja Angela Merkel është pro miratimit të këtij ligji, duke dalë në krah të Tauberit.

“Aktualisht në Gjermani është një fluks emigrantësh si kurrë më parë. Debati politik për këtë çështje është eklipsuar nga sulmet mbi qendrat e azilkërkuesve,” raporton Spiegel.

Ndërkohë, kryebashkiaku i Hamburgut, Olaf Scholz, pret që në ligj të përfshihet propozimi i tij për shqiptarët dhe ata që vijnë nga shtetet e ish-Jugosllavisë.

“Nëse ata mund të provojnë se mund të bëjnë një punë në Gjermani, t’u mundësohet hyrja e ligjshme. Kjo marrëveshje rekrutimi ka funksionuar më parë me Jugosllavinë”, thotë ai për Spiegel. “Kjo do ndihmojë së pari ata që vërtet kërkojnë punë, që të mos zgjedhin rrugën e gabuar përmes azilit. Për shumicën e tyre, emigrimi lidhet me një vend pune”.