Lajme Shqip Tuesday, 22 September 2015 12:55

Më shumë se pesëmijë refugjatë kanë hyrë në Preshevë vetëm gjatë dhjetë orëve të fundit.

Kryqi i Kuq në Serbi ka pohuar se ky është një fluks rekord i emigrantëve dhe sipas informatave të marra nga terreni, nuk po i shihet fundi kolonave të refugjatëve sirianë që po vijnë nga Maqedonia.

Sekretari i Kryqit të Kuq në Preshevë, Ahmet Alimi, ka thënë për mediat serbe se vala e fundit e refugjatëve karakterizohet me numër të madh të fëmijëve, të cilët janë të lodhur nga udhëtimi në këmbë, transmeton Telegrafi.

“Në qendrën tonë të pritjes, vetëm gjatë dhjetë orëve të fundit kanë hyrë mbi pesëmijë refugjatë, ndërsa kolonat e me të ardhur nuk kanë fund. Po presim një valë të re të madhe të emigrantëve sirianë”, thotë Alimi për Informer.

Ivan Mishkoviq, zëdhënës i komisionerit për Refugjatë thotë se ka rritje të fluksit të emigrantëve në Preshevë.

“Fluksi i njerëzve nuk do të ndalet. Nëse hungarezët i refuzojnë, kroatët e mbyllin kufirin, Serbia do të jetë në telashe të mëdha”, ka thënë Mishkovi.