Lajme Shqip Monday, 24 December 2012 15:00

Shkup – Para Kuvendit të Maqedonisë janë lënduar disa protestues nga gurët dhe drunjtë e hedhur mes dy grupeve të protestuesve, të parët që protestojnë në mbrojtje të opozitës LSDM-së që të mos sillet buxheti për vitin 2013, pasi siç ka deklaruar lideri i opozitës maqedonase Branko Cërvenkovski, ky buxhet është i destinuar për rritjen e rejtingut të kryeministrit Gruevski dhe investime jo kapitale.

Ndërsa grupi tjetër i protestuesve i ka dalë në mbështetje VMRO-DPMNE-së, duke protestuar kundër protestës së të parëve.

Ndërkohë, përplasje fizike ka edhe brenda Kuvendit. Deputetët e opozitës dhe të pushtetit janë konfrontuar me grushte.

Në tentimin e deputetëve të VMRO-DPMNE-së për të hyrë në sallën plenare përmes derës alternative, ka reaguar turma e mbledhur e deputetëve të LSDM-së, me ç’rast ka ardhur deri te përplasja fizike.

Opozita kundërshton miratimin e buxhetit për shkak të refuzimit të kërkesës së saj për shkurtimin e mbi 200 milionë eurove që beson se qeveria do t’i destinojë për harxhime promovuese dhe projekte jofitimprurëse.

Nga 1.200 amendamente sa kishte propozuar qeveria jashtë procedurës parlamentare, ka miratuar vetëm disa prej tyre, ndërsa në seancën e mbrëmshme ka hartuar version të ri të buxhetit që ishte edhe shkas për bllokimin e Kuvendit nga opozita.

Lideri i LSDM-së, ish presidenti i shtetit, Branko Cërvenkovski ka thënë para masës së tubuar mbrëmë vonë se është i gatshëm për gjithçka.

“Sikur edhe meteorë të bien do të durojmë. Nuk largohemi nga këtu. Gruevski dëshiron të vrasë demokracisë, por këtë nuk do të lejojmë. Duan lufte? Do ta kenë! Nuk largohemi nga këtu. VMRO-DPMNE dhe BDI po luajnë me lojën e patriotëve të rrejshëm, po nxisin konfrontime dhe tensione, ndërsa vëllazërisht po ndajnë tenderët dhe provizionet”.

“Jemi këtu pasi tani gjashtë vjet e gjysmë po shkelet demokracia. Jemi shndërruar në vend të të burgosurve politik, ngufaten mediumet, nuk ka gjyqësi të pavarur, ata mbrojnë pushtetin në vend të të drejtave të punëtorëve”, deklaroi Cërvenkovski.

Nga ana tjetër kryeministri Nikolla Gruevski, paraprakisht i bëri thirrje opozitës që të heqë dorë nga bllokadat dhe të lejojë miratimin e buxhetit pasi në të kundërtën, sipas tij, do të pësojnë qytetarët e Maqedonisë.

Gruevski ka thënë se Cërvenkovski nxit tensione për të mbijetuar politikisht.(LajmeShqip.com)