Lajme Shqip Sunday, 20 January 2013 15:53

SHBA – Presidenti Barak Obama bën betimin për mandatin e tij të dytë sot në një ceremoni private në Shtëpinë e Bardhë. Kushtetuta amerikane parashikon përfundimin e mandatit të presidentit më 20 janar në mesditë. Presidenti Obama dhe zv/presidenti Xho Baiden do të bëjnë betimin në ceremoni të veçanta sot.

Vetëm anëtarët e familjes dhe pak të tjerë do të jenë të pranishëm në Shtëpinë e Bardhë kur Obama të bëjë betimin për mandatin e tij të dytë, të administruar nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhon Roberts.

Meqë e diela është ditë pushimi, presidenti dhe zv/presidenti do të bëjnë betimin përsëri nesër në ceremonitë publike para qindra mijëra njerëzve të mbledhur në Parkun Kombëtar të Uashingtonint.

Për koincidencë historike, Obama do t’i bashkohet Franklin Ruzveltit, si të vetmit presidentë që kanë bërë betimin katër herë. Ruzvelti u zgjodh president katër herë. Krahas dy betimeve të këtij viti, Obama bëri dy herë betimin në vitin 2009, pasi Kryetari i Gjykatës së Lartë gaboi kur po administronte betimin për herë të parë.

Megjithë ngatërrimin e fjalëve, betimi ishte i ligjshëm. Megjithatë, Kryetari i Gjykatës së Lartë, e administroi përsëri betimin privatisht ditën tjetër.

Disa ditë festime për inaugurimin filluan dje në Uashington, ku presidenti dhe zonja Obama morën pjesë me rastin e Ditës Kombëtare të Shërbimit në restaurimin e një shkolle, ku folën para vullnetarëve.

Sot në mbrëmje, Obama dhe zoti Baiden me bashkëshortet do të flasin në pritjet zyrtare të inaugurimit.

Aktivitetet e të hënës fillojnë me pjesëmarrjen e të dy familjeve në shërbimet kishtare pranë Shtëpisë së Bardhë. Pastaj ata do të shkojnë tek ndërtesa e Kongresit, ku presidenti dhe zv/presidenti do të bëjnë betimin për të dytën herë.

Pas inaugurimit ata do të hanë drekë me ligjvënësit në Kapitol dhe pastaj do të marrin pjesë në paradën e inaugurimit. Ata do të shkojë nga ndërtesa e Kongresit përgjatë bulevardit Pensilvania në Shtëpinë e Bardhë, ku do të shikojnë pjesën tjetër të paradës nga një tribunë e ngritur me këtë rast. Në mbrëmje, çifti i parë do të marrë pjesë në dy ballot e fundit të inaugurimit.

Festimet përfundojnë të martën me një shërbesë së posaçme lutjesh në Katedralen e Uashingtonit dhe në një ballo tjetër në mbrëmje.
Të mërkurën fillon fillon heqja e tribunës dhe planet për ceremoninë e ardhshme të inaugurimit në vitin 2017.(LajmeShqip.com)