Lajme Shqip Friday, 28 August 2015 11:25

Për tri ditë radhazi ai për asnjë çast nuk i është ndarë pritjes së kolonave me emigrantë në Miratoc të Preshevës.

Nuk lë njeri pa e shikuar në fytyrë. Një natë e ka kaluat në qiell të hapur, e dy net tjera i ka bërë brenda xhamisë së fshatit.

Duket shumë i mërzitur në fytyrë dhe nganjëherë mund ta shohësh duke e tradhtuar ndonjë lot.

Muhamer Haxhim është nga Hamasi i Sirisë. Ai vazhdimisht mban një çantë të kuqe në dorë, dhe një qese me pak rroba.

Janë këto të gjitha gjërat që ka mundur t’i ketë me vete, në rrugëtimin e tij të gjatë.

Familja e Haxhimit kishte mbetur në Siri, kurse ai i ishte bashkëngjitur shokut të tij të ngushtë dhe familjes së tij, në rrugën për në Evropë.

Por, Haxhimi e ka ndërprerë përkohësisht rrugëtimin e tij drejt Evropës në Miratoc të Preshevës.

Jo se dikush e ka ndaluar t’i bashkëngjitet turmës prej mijëra vetash në drejtim të kampit të refugjatëve në Preshevë, apo për të ikur në drejtim të Serbisë qendrore, për t’ia mësyrë Hungarisë dhe Evropës.

Por, ai aty ka mbetur pa asnjë cent në xhep.

“Nga Siria deri këtu kemi bërë 15 ditë. Kam kaluar nëpër Turqi, Greqi, Maqedoni dhe para tri ditësh kam arritur këtu në Serbi”, thotë burri rreth 30 vjeç.