Lajme Shqip Tuesday, 27 October 2015 18:02

Si pikë nisëse për iniciimin e një dëbimi të personit të varur nga ndihmat sociale merret shuma prej 50 mijë frangash, e cila konsiderohet “e konsiderueshme”

Ai jeton prej 13 vitesh në Zvicër dhe ndonëse është i martuar me zvicerane dhe ka së bashku me të një djalë, shumë shpejt mund të dëbohet nga Zvicra. Fjala është për një shtetas algjerian 35 vjeçar ndërsa shkaku i dëbimit qëndron te varësia e tij nga ndihmat sociale.

Deri më tash, siç shkruan “Tages- Anzeiger”, ai ka marrë pothuaj gjysmë milioni franga ne emër të ndihmave spciale pasi që nuk ka punuar.

Sipas autoriteteve për Migracion të Cyrihut, në këtë rast interesi shoqëror për dëbimin e tij peshon më shumë se e drejta e algjerianit për jetë të përbashkët familjare në Zvicër. Kjo e fundit madje në këtë rast as nuk konsiderohet e rrezikuar.

Por a ndodh gjithmonë që dikush në situaën e algjerianit të dëbohet nga Zvicra, gjegjësisht cilat janë kriteret që duhen plotësuar për një dëbim të tillë? Për të gjetur përgjigjet, gazeta ka konsultuar dokumentacionin nga disa kantone dhe ekspertët.

Shifrat në nivel të Zvicrës lidhur me dëbimin e personave të varur nga ndihmat sociale mungojnë ndërsa secili kanton udhëheq një praktikë të veten në këtë drejtim. Kështu sipas “Tages-Anzeiger”, kantoni i St. Gallenit viteve të fundit ka dëbuar nga 90 raste të tilla çdo vit ndërsa në Kantonin e Cyrihut nga viti 2013 e deri tash kanë qenë më shumë se 70 të dëbuar. Në kantonin e Bernës dhe në atë të Graubündenit nga viti 2014 janë dëbuar nga 30 të huaj në këtë bazë.

Si pikë nisëse për iniciimin e një dëbimi të personit të varur nga ndihmat sociale merret shuma prej 50 mijë frangash, e cila konsiderohet “e konsiderueshme”. Këtë kriter (për shumën e konsiderueshme) e ka caktuar Gjykata Federale në një vendim që ka marrë për një rast të tillë në vitin 2009./albinfo.ch/.