Lajme Shqip Tuesday, 24 September 2013 17:04

Shkup- Partitë parlamentare shqiptare kërkuan ndryshime urgjente kushtetuese dhe zyrtarizimin e gjuhës shqipe si gjuhë të dytë zyrtare në Maqedoni.
Kjo çështje u ngrit në kuadër të debatit për ndryshimet e propozuara kushtetuese nga ana e VMRO-DPMNE-së së kryeministrit Nikolla Gruevski, për definimin e martesës si bashkësi kryesisht midis një burri dhe një gruaje, duke kundërshtuar martesat e një gjinie.
Deputetët e PDSH-së kërkuan që në kuadër të këtij debati për ndryshime të Kushtetutës duhet të ngritet edhe çështja e përdorimit të gjuhës shqipe dhe zyrtarizimit të saj. Deputeti i kësaj partie, Orhan Ibrahimi kërkoi që nënkryetarja e Parlamentit të ketë të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe, pasi që asaj i pamundësohet kjo me kushtetutën dhe ligjin për institucionin legjislativ.
“Dy vite si nënkryetare nuk keni dalur të udhëhiqni seancat plenare të Parlamentit. Ju lutem dilni dhe uluni me dhunë, udhëhiqni mbledhjet dhe ne do t’ju përkrahim. Uzurponi pozicionin që keni dhe përdorni gjuhën shqipe”, kërkoi deputeti i PDSH-së. Një kërkesë për zyrtarizimin e shqipes si gjuhë të dytë zyrtare e bëri e deputeti i RDK-së, Naxhi Xhelili. Ai theksoi se duhet ndryshime kushtetuese për rregullimin e kësaj çështje. “Ne jemi për ndryshime kushtetuese dhe për zyrtarizimin e gjuhës shqipe, dhe kjo të jetë gjuhë e dytë zyrtare”, deklaroi Xhelili.
Ndaj këtyre kërkesave ka reaguar deputeti i VMRO-DPMNE, Vlatko Gjorçev i cili replikoi se nuk janë korrekte deklaratat hiperbolizuese nga ana e partive shqiptare.
Suzana Saliu nga BDI-ja duke komentuar ndryshimet e propozuara kushtetuese theksoi se Maqedonia ka nevojë për kushtetutë të saktë dhe të qartë që do t’i largojë të gjitha dyshimet e interpretimit, veçanërisht, ekstremet të cilat shkaktojnë mosmarrëveshje ndëretnike.
Që të miratohen ndryshimet kushtetuese nevojitet shumica e dy të tretave të deputetëve nga numri i tërësishëm i deputetëve. /INA/