Lajme Shqip Tuesday, 28 July 2015 08:04

Shtetet e Bashkuara dhe Turqia po punojnë së bashku mbi një plan ushtarak për të pastruar veriun e Sirisë nga militantët e ISIS, kanë thënë zyrtarë amerikanë.

Ata thanë se një zonë e “lirë nga Shteti Islamik” do të siguronte një stabilitet më të madh përgjatë kufirit të Turqisë me Sirinë.
“Kjo është një përpjekje për të mposhtur, shkatërruar dhe degraduar ISIS në veri të Sirisë, të krijojmë një zonë të lirë”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mark Toner për BBC.

Sipas marrëveshjes, e cila tashmë duket e finalizuar, të paktën siç raportojnë mediat ndërkombëtare duke cituar zyrtarë të lartë amerikanë, militantët e ISIS do të largohen deri në 109 kilometra nga kufiri me Turqinë, përgjatë lumit Eufrat.

Zbatimi i kësaj marrëveshje do të intensifikonte ndjeshëm sulmet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kundër ISIS, ndërsa në anën tjetër do të rriste tensionet me luftëtarët kurdë, të cilët kontrollojnë territore të mëdha në veri të Sirisë, shkruan Washington Post.

Zhvillimet e fundit pështjellojnë situatën brenda koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS-it. Perëndimi ka mbështetur prej kohësh tashmë forcat kurde, si në Siri ashtu edhe në Irak, ndërkohë që Turqia i sheh me dyshime, nisur nga e kaluara dhe përplasjen e vjetër që ka me ta.
Sa do të realizohet në terren ky bashkëpunim mbetet për t’u parë, por një gjë thuajse është e sigurt, pas këtyre sulmeve të Turqisë armëpushimi i nënshkruar në prill të vitit 2013 mes Ankarasë dhe rebelëve kurdë të PKK-së është në grahmën e fundit.

Që prej shpërthimit të konfliktit të armatosur në Siri, daljes në skenë të ISIS-it dhe zgjerimit të tij në Irak, Ankaraja kish zgjedhur të ruante neutralitetin duke shmangur përfshirjen e drejtpërdrejtë në konflikt, megjithëse ai zhvillohej në derën e saj.

Por gjithçka ndryshoi javën e kaluar kur një sulm vetëvrasës i marrë përsipër nga ISIS-i dhe ku vdiqën 32 vetë, e më vonë vrasja e një ushtari turk pas shkëmbimit të zjarrit në kufirin me Sirinë me ekstremistët fetarë shkaktoi reagimin e Turqisë.

Brenda pak ditësh, Turqia ka ndërmarrë një sërë sulmesh ajrore në Siri dhe Irak, ku shënjestër ka qenë jo vetëm ISIS-i, por edhe kurdët e PKK-së, me të cilët Ankaraja lufton që prej vitit 1984, e ku besohet se rreth 40 mijë vetë kanë gjetur vdekjen që prej asaj kohe.
Ndërkohë, Turqia ka përdorur të drejtën që i jep Artikulli 4 i paktit të NATO-s duke thërritur të martën një takim të jashtëzakonshëm të Aleancës.
Ky artikull u njeh vendeve anëtare të organizatës që të thërrasin nëj mbledhje të jashtëzakonshme kur territori dhe siguria e tyre janë në kërcënim.

“Është më se e drejtë dhe momenti i duhur për të biseduar për trazirat që po reflektojnë konfliktet në Siri e Irak dhe në kufirin e një vendi anëtar të NATO-s, Turqisë”, deklaroi për BBC-në, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg./ Top Channel/