Lajme Shqip Sunday, 30 August 2015 08:47

Grupi “Shteti Islam” (ISIS) ka ekzekutuar më shumë se 2.000 persona në Mosul dhe rrethinën e tij qëkur ka marrë nën kontroll, në qershor 2014, qytetin e dytë për nga madhësia në Irak.

Deri më tani, të afërmit e të zhdukurve e kishin të pamundur të dinin për fatin e të afërmve të tyre.

Por, kjo situatë duket se ka marrë fund.

“Daily Beast” raporton se që prej disa ditësh, ISIS-i ka filluar të publikojë emrat e personave të ekzekutuar.

Sipas gazetës, lista me 2070 emra janë radhitur në lokalet e atyre që organizata terroriste i quan “Komisariate të policisë islamike”, transmeton “Zëri”.

Një numër i madh i banorëve të Mosulit kanë shkuar për t’i parë listat.

“Dhjetëra persona kanë ardhur në komisariat për të kërkuar emrin e bijve, vëllezërve, të bashkëshortëve ose familjarëve të tjerë. Shumë kanë dalë nga komisariati me lot në sy e shumë gra qanin zëshëm”, ka treguar një banor i lagjes “Somar”, në lindje të qytetit.

Anëtarë të policisë po i pengojnë dëshmitarët që të fotografojnë listat në mënyrë që të afërmit të detyrohen të shkojnë vetë të kërkojnë ndonjë fjalë ose të zbulojnë identitetin e tyre.

“Anëtarët e grupit janë të armatosur rëndë dhe i vëzhgojnë reagimet e njerëzve”, dëshmon një banor.

“Kjo do të thotë se nëse ndonjëri e sheh emrin e familjarit në listë, ai nuk mund të ankohet ose t’i mallkojë ata që e kanë vrarë, sepse anëtarët e ISIS-it nuk hezitojnë ta vrasin këdo që guxon të kritikojë organizatën ose vendimet e saj”, përcjell “Zëri”.

Gazeta tregon rastin e një burri, djali i të cilit ishte zhdukur para disa muajsh, por për të cilin një zyrtar i ISIS-it i kishte thënë se është gjallë. Kur e pa emrin e tij në listë, ai iu drejtua duke i thënë: pse më ke gënjyer?

“Ti beson se “Shteti Islam” ka hotele për t’i strehuar apostujt?”, i kishte bërtitur anëtari i grupit terrorist.

Shumë prej personave të ekzekutuar janë anëtarë të ushtrisë ose policisë, politikanë lokalë, gazetarë ose imamë të moderuar që kanë kritikuar ideologjinë ekstremiste të ISIS-it.