Lajme Shqip Wednesday, 23 September 2015 10:57

Të paktën 60 dezertorë të “Shtetit Islam” kanë folur për herë të parë kundër kalifatit dhe kanë deklaruar se qeveritë perëndimore duhet të bëjnë më shumë për të nxitur luftëtarët që të tregojnë realitetin.

Sipas “New York Times”, rreth 20 mijë luftëtarë i janë bashkuar grupit xhihadist në Lindjen e Mesme në dy vjetët e fundit. Thuajse çereku i tyre janë evropianë dhe vlerësohet se nga 25 deri në 40 për qind e tyre janë kthyer në Evropë.

Një raport i Qendrës së Studimeve Ndërkombëtare mbi Radikalizmin thotë se shumica e dezertorëve jetojnë në fshehtësi për t’i shpëtuar ndëshkimit nga ISIS-i, por edhe për të shmangur burgosjen në vendet ku ata janë kthyer, transmeton zeri.info

Por, sipas raportit, 58 dezertorë nga Evropa dhe Australia kanë folur për herë të parë publikisht mbi eksperiencën e tyre. Në listën e arsyeve për të cilat ata thonë se kanë lënë grupin ata përmendin edhe dhunën ndaj myslimanëve të tjerë.

Dy dezertorë, që zgjodhën të braktisnin ISIS-in pasi mësuan se ishin zgjedhur për t’u bërë kamikazë, thanë për BBC-në se brutaliteti i “Shtetit Islam” tmerron këdo.

Një shtetas sirian që ishte bashkuar me grupin radikal për të luftuar regjimin e Assad-it tha se, faza e parë e indoktrinimit të ISIS-it ishte kursi mbi Sheriatin. “Por aty nuk ishin parimet e Islamit, aty ishin parimet e ‘Shtetit Islamik’. Ata të mësojnë atë që duan ata”, ka thënë ish-luftëtari.