Lajme Shqip Monday, 31 August 2015 13:39

Kthimi i udhëtarëve nga pushimet e verës, në vendet e Evropës Perëndimore, ka shkaktuar kolaps komunikacioni në Hungari, ku sipas medieve shtetërore austriake, në afërsi të kufirit në pjesën hungareze , kolona ka arritur deri në 30 kilometra.

Siç ka raportuar agjencia hungareze e lajmeve MTI, përveç autostradës M1 në Hungari që është e bllokuar plotësisht, janë mbushur edhe rrugët anësore të cilat të shpijnë në kufi me Austrinë, transmeton Koha.net.

Ministri i Brendshëm austriak, Mikl-Leitner Joana, i ka thënë televizionit ORF, se shteti i tij e ka rritur kontrollin në kufijtë lindorë , pasi që gjatë javës së fundit në një autostradë të Austrisë, u gjet një kamion i braktisur me mbi 70 refugjatë të vdekur, e i cili u fut në shtetin e tij përmes Hungarisë.

Në saje të kontrolleve të shtuara, policia austriake ka treguar se janë kapur më shumë se 200 refugjatë dhe janë arrestuar pesë persona lidhur me trafikim të qenieve njerëzore.

Në tre ditët e fundit, policia hungareze ka arrestuar 8792 emigrantë të cilët u përpoqën të kalonin në Hungari, përmes Serbisë.