Lajme Shqip Friday, 23 October 2015 13:54

Eksperti mjekoligjor serb Dushan Dunjiq, i cili ishte caktuar të dëshmonte në mbrojtje të Ratko Mlladiqit, u gjet i vdekur në një hotel në Holandë, por shkaku i vdekjes nuk dihet ende.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, tha se Dunjiq vdiq të enjten në një hotel në Hagë dhe se trupin e gjeti një zyrtar i gjykatës, ndërsa shkaku i vdekjes po hetohet.

“Personeli i shërbimit të urgjencës u njoftuan dhe lajmëruan menjëherë për vdekjen e zotit Dunjiq. Autoritetet holandeze po zhvillojnë një hetim për vdekjen e zotit Dunjiq,” tha gjykata në një deklaratë.

Mlladiq, komandanti i kohës së luftës i Ushtrisë Serbe të Bosnjës, po gjykohet për gjenocid ndaj rreth 7,000 boshnjakëve nga Srebrenica në ditët që pasuan pushtimin e qytetit më 11 korrik 1995.

Mlladiq është akuzuar gjithashtu edhe për persekutim të boshnjakëve dhe kroatëve në gjithë Bosnje dhe Hercegovinën, e cila dyshohet se arriti shkallën e gjenocidit në gjashtë komuna të tjera, terrorizim të popullsisë së Sarajevës dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.

Dunjiq ka dëshmuar më parë si ekspert i mbrojtjes në disa çështje të tjera në Gjykatën e Hagës.

Në dëshminë e tij në gjyqin e Radovan Karaxhiqit në vitin 2013, Dunjiq tha se nuk kishte “prova të forta” se vetëm “450 deri në 500” trupa që u zhvarrosën nga varret masive që kishin lidhje me rënien e Srebrenicës në korrik të vitit 1995 ishin viktima vrasjesh me armë.

Gjyqi i Mlladiqit rifillon të hënën.