Lajme Shqip Tuesday, 15 January 2013 13:59

Shkup – Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë e vetmja rrugëdalje nga kriza politike, pasi Kuvendi ka humbur tashmë legjitimitetin e tij.

Ky është qëndrimi që i ka përcjellë kryetari i Lidhjes Social-Demokrate e Maqedonisë (LSDM), drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerim pranë Komisionit Evropian, Stefano Sanino.

Sanino është njoftuar se opozita do të mbetet konsekuente në qëndrimet e saj për rikthimin e demokracisë, për ç’gjë është shprehur e gatshme për një marrëveshje politike me të cilën do të shmangej thellimi i krizës politike.

Cërvenkovski ka informuar hollësisht Saninon për zhvillimet e së “hënës së zezë”, ndërsa janë shkëmbyer mendime edhe për mënyrën si do të ndërpritej debati institucional, për shkeljet kushtetuese dhe ligjore dhe për mosrespektimin e Rregullores së Kuvendit.

“Me delegacionin e lartë të KE-së u diskutua për nxjerrjen e dhunshme të gazetarëve dhe deputetëve opozitarë nga hapësira e Kuvendit, që si akt brutal i ka marrë në mënyrë të pakthyeshme pushtetit dhe institucioneve legjitimitetin e tyre. Z-ri Sanino është njoftuar se nuk është reale që në këtë situatë opozita të kthehet në Kuvend”, thuhet në njoftimin e LSDM-së.

Në takim, është theksuar nga opozita qëndrimi se do të ishte shumë e dëmshme për shtetin të anashkalohet ekzistimi i krizës politike, ndërsa është shprehur edhe fakti se “pushteti i cili keqpërdori institucionet për miratimin e projektbuxhetit, nuk mundet dhe nuk do që të organizojë zgjedhje të lira dhe demokratike”.

“Së këndejmi, pjesëmarrja e opozitës në zgjedhjet lokale do ta bënte pjesëmarrëse atë në pezullimin e demokracisë”, citohet t’i ketë thënë Cërvenkovski, Saninos.(Zhurnal/LajmeShqip.com)