Lajme Shqip Thursday, 30 July 2015 13:34

Kryeministri David Cameron ka paralajmëruar se Britania nuk do të bëhet “parajsë e sigurt” për emigrantët që përpiqen ta arrijnë atë nga lokaliteti Kalais, në Francë.

Cameron, siç transmeton TCh, paralajmëroi se emigrantët ilegalë do të dëbohen nga Mbretëria e Bashkuar, në një kohë kur qindra prej tyre përpiqen të arrijnë vendin.

Duke folur nga Vietnami, ku ndodhet në kuadër të një turi në Azinë Jug-Lindore, Cameron bëri të ditur se pala franceze ka dërguar 120 policë shtesë në Kalais dhe se autoritetet britanike po marrin masa të ngjashme për të penguar depërtimin e klandestinëve.

“Çdo gjë që mund të bëhet do të bëhet për të siguruar që kufijtë tanë të jenë të sigurtë”, tha Cameron për BBC.

Reagimi i kryeministrit ka ardhur pasi mbrëmjen e së mërkurës në hyrje të Tunelit të La Manshit u verifikua përpjekja e radhës e emigrantëve për të arritur Mbretërinë.

Vetëm këtë javë mbi 3.500 klandestinë janë përpjekur të hyjnë në terminalin e tunelit. Disa qindra prej tyre janë larguar prej andej nga policia franceze.

Por përpjekjet vazhdojnë pavarësisht vdekjes së një emigranti, që dyshohet se vinte nga Sudani, i moshës nga 25 deri në 30 vjeç.